Librazhd, vdes nga asfiksia foshnja 11-muajshe

09/12/2014 00:00

Një foshnjë 11-muajshe ka gjetur vdekjen ditën e martë, në një çerdhe në qytetin e Librazhdit, pasi mbeti e asfiksuar nga një tullumbace që kishte gëlltitur.

Ngjarja ndodhi rreth mesditës, teksa vogelushja me iniciale M.G shfaqi shenja të asfiksisë dhe u dërgua menjëherë tek mjeku i familjes. Ky i fundit, duke parë situatën e rëndë e çoi foshnjën në spitalin rajonal të Librazhdit.

Mjekët konstatuan se vogëlushja nuk kishte asnjë shenjë jete kur mbërriti në spital dhe pas ekspertizës u vu re se tullumbacja kishte kaluar poshtë fytit të fëmijës, deri në trake.

Sipas tyre, nxjerrja e objektit në kushte të tilla ka qenë e pamundur. Ndërkohë, për hetimin e plotë të ngjarjes në Librazhd mbërriti edhe një ekip mjekoligjor nga Tirana.

Ndërsa policia nisi hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së rëndë. Uniformat blu shoqëruan dhe morën në pyetje dy edukatore dhe drejtoreshën e çerdhes së Librazhdit.

Nga burime policore mësohet se ato kanë thënë se fëmija ishte me temperaturë dhe vazhdimisht kishte të vjella.

Për këtë arsye e dërguan tek mjeku i familjes, por askush nuk e kishte vënë re që fëmija shfaqte shenja të asfiksisë. Pritet përfudimi i hetimeve për nxjerrjen e pergjegjësve të mundshëm.

Top Channel