Të shndërrosh qytetin me një penel

09/12/2014 00:00

Artistët i kanë dhënë jetë një prej rrugicave më përfaqësuese të Durrësit të vjetër, asaj pranë Amfiteatrit Antik. Zhgarravinat e dikurshme mbi muret e rrënuar ia kanë lënë vendin artit.

Fasadat e shtëpive të vjetra, në dy krahët e rrugicës, janë gjallëruar nga pikturat murale me tematika të ndryshme, si dhe nga poezitë me një kaligrafi të bukur shkruar mbi to.

Arti i rrugës (grafiti) ka marrë një tjetër vlerë, duke e kthyer rrugicën në një vend joshës, ku jo vetëm vizitorët, por edhe banorët e qytetit nxitojnë të fiksojnë kujtime personale, përballë punimeve të realizuara nga artistë shqiptarë dhe të huaj.

Rrugicat e lagjes “Kala”, në qytetin e Durrësit, përbëjnë një tërheqje të veçantë për turistët vendas e të huaj. Një pjesë e mirë e tyre kanë ruajtur pamjen e shumë dekadave më parë, ndonëse disa prej godinave 100-vjeçare nuk i kanë shpëtuar ndërhyrjeve për rikonstruksion.

Qyteti është ngritur e ringritur mbi veten, duke i rezistuar në këtë mënyrë pasojave të tërmeteve të herëpashershme dhe furive pushtuese të regjistruara në historinë tremijëvjeçare të tij, duke sjellë deri në ditët e sotme dëshmi dhe vlera të një qytetërimi të lashtë e fisnik.

Top Channel