Shulz: Vendi i opozitës është në Kuvend. Rama: Janë plotësuar të gjitha kushtet e PD

09/12/2014 00:00

Gjatë vizitës së tij në Brukesl, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me presidentin e Parlamentit Europian, Martin Shulz. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Shulz ka ripërsëritur qëndrimin e tij lidhur me bojkotin.

“Vendi i deputetëve është në Parlament dhe jo jashtë tij. Këtë gje e kam thënë edhe kur Edi Rama ishte në opozitë dhe i kam bërë disa herë thirrje që të kthehej në Parlament, gjë të cilën ai e bëri në fund. Pra, unë nuk e kam ndryshuar opinionin tim. Një Parlament është i zgjedhur që të gjithë deputetët të punojnë në Parlament”, deklaroi Shulz.

Nga ana e tij, kryeministri Rama u shpreh se tashmë janë plotësuar të gjitha kërkesat e opozitës dhe se ata mbeten të hapur për dialog.

“Unë asnjëherë nuk i kam folur opozitës në anglisht, megjithatë dua të nënvizoj se ne jemi duke i pritur ata që të kthehen. Ne i kemi plotësuar të gjitha ato që kanë qenë kërkesa legjitime dhe në të njëjtën kohë për çdo gjë që ata do duan të propozojnë, ne jemi të hapur dhe jemi të gatshëm që menjëherë të ulemi me ta, të flasim dhe të gjejmë zgjidhjen më të mirë”, tha Rama nga ana e tij.

Ndërsa sipas deputetit Taulant Balla, i cili shoqëron kryeministrin Rama në këtë vizitë, të njëjtin qëndrim duket se ka shprehur dhe kreu i Partive Popullore Europiane, Manfred Weber.

“Ndamë të njëjtin qëndrim me kryetarin Weber që të ruajmë me opozitën një kanal komunikimi të përhershëm, pasi ne duam që i njëjti kanal komunikimi që ekziston këtu mes grupit S&D dhe PPE, të ekzistojë dhe në Shqipëri, sepse duam që bashkëpunimi me opozitën përsa i takon marrëdhënieve me Parlamentin dhe Komisionin Europian ta kemi sa më të qëndrueshëm e të vazhdueshëm. Fakti që dhe nga bashkëbiseduesi ynë, kreu i PPE-së, u pranua që të gjitha kërkesat e opozitës ne i kemi realizuar, mbetet në vlerësimin e vetë PD-së që në funksion të saj të ushtrojë rolin kushtetues në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Balla.

Por nga Këlni, ku ndodhet në Kongresin e CDU-së, kreu i opozitës, Lulzim Basha, me anë të një postimi në Facebook shprehet se, tek personalitetet e larta të politikës gjermane dhe europiane mbizotëron shqetësimi i thellë për gjendjen e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri.

“Nuk ka asnjë reflektim nga dyshja Rama-Meta, por vetëm përpjekje për t’i hedhur hi syve partnerëve europianë. Kërkojnë t’i paraqesin detyrimet ligjore dhe kushtetuese të mazhorancës si pretendime të opozitës, por refuzojnë të marrin përgjegjësi për gjendjen ku e kanë katandisur Parlamentin përmes inkriminimit të tij dhe asgjesimit të mbikëqyrjes parlamentare. Këtë sapun s’e blejnë më për djathë as shqiptarët e as Europa”, mbyllet postimi i Bashës.

Top Channel