PD, forum me qytetarë lushnjarë për krizën dhe problemet sociale

09/12/2014 00:00

Deputetët demokratë të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe të komisioneve të tjera, si dhe drejtues departamentesh e sekretariatesh të Partisë Demokratike, ishin në Lushnje për të analizuar dhe trajtuar çështje të ndryshme.

Lushnja, që siguron një të tretën e prodhimit bujqësor kombëtar, me mbi 51 mijë hektarë tokë bujqësore, ka ende shumë familje të varfëra e probleme të mëdha sociale.

“Juve jeni shumë më tepër të irrituar se sa jam unë. Kam dy vajza të vogla që i çoj në shkollë dhe kur mendoj se një drejtoreshë arsimi, për çdo emërim të marrë nga 3 mijë deri në 5 mijë euro, e jo vetëm kaq, por të sajojë një rrjet të tërë për favore të ndryshme seksuale për hierarki të ndryshme në partitë në pushtet, atëherë irritimi tek unë, si nënë e dy fëmijëve, është shumë i madh. Këta që janë sot në pushtet po shkatërrojnë të ardhmen e shoqërisë shqiptare”, tha deputetja demokrate Albana Vokshi, kryetare e Komisionit të Çështjeve Sociale.

Deputeti Luçiano Boçi, njëherësh shefi i Departamentit të Arsimit, tha se ministrja Nikolla, duke cënuar rëndë ligjet me udhëzime dhe urdhra partiakë, po i bën sport arsimit dhe mësuesve fisnikë të këtij vendi.

“E vërteta e zbuluar, jo vetëm në Lushnje, por edhe në rrethet dhe Drejtoritë Arsimore Rajonale të tjera, është që ata janë të emëruar. Edhe në rastin kur është bërë një gjoja konkurs, komisioni ka qenë i përbërë nga 4 anëtarë politikë nga Ministria dhe 3 anëtarë të zgjedhur nga qyteti dhe ka fituar 4-3 konkurrenti i paracaktuar politikisht”, deklaroi deputeti i PD, Luçiano Boçi.

Me konkurse fiktive pa asnjë kriter shkencor dhe profesional, por vetëm filtrime partiake, Rama dhe Nikolla i detyruan mësuesit të hyjnë në testime, si akte denigruese për arsimtarët që janë të çertifikuar dhe të arsimuar me grada.

Nevila Xhindi, njëherësh drejtuesja e Sekretariatit të Shoqërisë Civile në PD, tha se duhet nxitur reagimi qytetar dhe ai i vetë nxënësve, si rezistencë ndaj emërimit të të paaftëve dhe militantëve si drejtorë gjimnazesh dhe shkollash nëntëvjeçare. Më tej, të pranishmit ngritën shqetësimet e shumta në sistemin e Shëndetësisë, ku mungon cilësia e shërbimeve dhe nuk ka asnjë ulje në çmimin e ilaçeve.

Top Channel