Ukraina akuzon rebelët për shkelje të “Ditës së Heshtjes”

09/12/2014 00:00

Ushtria ukrainase ka akuzuar separatistët për shkelje të “Ditës së Heshtjes” të dakordësuar për këtë të martë në lindjen e shkatërruar prej luftimeve, një nismë që shihej si një përpjekje për të krijuar një armëpushim të qëndrueshëm, duke i hapur rrugën një raundi të ri bisedimesh për paqe.

Një tjetër hap drejt normalizimit duket se e hodhi edhe Rusia, me rifillimin e furnizimit me gaz natyror të Ukrainës, pas një ndërprerjeje 6-mujore të shkaktuar prej mosmarrëveshjeve për çmimin dhe borxhet e papaguara, të cilat lindën paralelisht edhe me luftën e rebelëve prorusë në rajonet lindore të vendit.

Forcat qeveritare thanë se kishin pezulluar operacionet luftarake nga 10 e mëngjesit të së martës, ndërsa separatistët thanë se armëpushimi – për momentin – ishte duke u respektuar. Por, me të rënë nata, ushtria e Kievit tha se trupat ushtarake kishin regjistruar 13 shkelje prej bombardimeve të rebelëve ndaj pozicioneve ukrainase, duke theksuar më tepër dy sulme me artileri të rëndë në aeroportin e Donjeckut, rajon i kontrolluar nga rebelët. Ende nuk është raportuar për ndonjë ushtar të vrarë.

Ukrainasit e kanë parë “Ditën e Heshtjes” si një test thelbësor për gatishmërinë e separatistëve të mbështetur nga Moska për të rikthyer në fuqi armëpushimin e shtatorit, i cili është shkelur vazhdimisht duke shkaktuar viktima thuajse çdo ditë mes të dyja palëve, por edhe civilëve.

Shpresohej që pakti i paqes të mund të përmirësonte perspektivat për një raund të ri bisedimesh në kryeqytetin bjellorus, Minsk, përfshi këtu Rusinë, Ukrainën dhe separatistët, nën mbikëqyrjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë.

Bisedimet mes “grupeve të kontaktit” në Minsk, në fillim të shtatorit, çuan në hartimin e një drafti me 12 pika për paqen, përfshi këtu edhe një armëpushim. Por, që prej atëherë, rebelët e kanë sfiduar Kievin duke mbajtur zgjedhjet për drejtuesit e dy rajoneve të vetëshpallura “Republika Popullore”, ndërkohë që Ukraina ka akuzuar Rusinë për dërgimin e trupave dhe armatimeve në ndihmë të rebelëve.

Ndërkohë, më herët gjatë ditës, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se ulja e tensioneve në lindje të Ukrainës ishte ende shumë larg implementimit, pavarësisht njoftimit të Kievit për ndaljen e operacioneve luftarake.

Duke folur në lidhje me hapat në muajt e kaluar për këtë gjë, Lavrov tha për agjencinë e lajmeve “RIA” se “deri më tani është tërësisht e qartë që jemi shumë larg objektivit kryesor”.

“Në ditët në vijim, një takim i grupit të kontaktit është planifikuar, në të cilin do të diskutohet një plan i përgatitur nga specialistë ushtarakë për masa praktike, me synimin për një armëpushim përfundimtar”, është cituar të ketë thënë Lavrov për “RIA”, edhe pse asnjë datë nuk është përcaktuar për këto bisedime, por mendohen se do të zhvillohen sërish në Minsk.

Lavrov paralajmëroi gjithashtu se Rusia do të detyrohet të marrë “masat e nevojshme” kundër planeve të Shteteve të Bashkuara për të ngritur sisteme antiraketore në Europë, gjë që Rusia e konsideron se bëhet me qëllimin për të shënjestruar raketat ruse.

Top Channel