BE, arrihet akordi për buxhetin e 2015-s dhe amendimet e 2014-s

09/12/2014 00:00

Negociatorë nga Parlamenti Europian por edhe nga qeveritë e vendeve të BE-së kanë arritur një marrëveshje mbi buxhetin e vitit 2015 të unionit, si dhe për amendimet e buxhetit të vitit 2014.

Shpenzimet për vitin e ardhshëm janë përcaktuar në 141.2 miliardë euro, pavarësisht presioneve për ta ulur atë. Buxhetet kombëtare janë shkurtuar anembanë Europës për të reduktuar deficitet e mëdha.

Një pagesë ekstra prej 3.5 miliardë eurosh është dakordësuar për sa i përket vitit 2014 në ndihmë të pagimit të faturave të papaguara të BE-së, duke e çuar shifrën përfundimtare të shpenzimeve të këtij viti në 139 miliardë euro.

Kontributi i përgjithshëm i Britanisë së Madhe në buxhetin aktual është 15,29 miliardë euro, apo 11 përqind e totalit të tij. Marrëveshja pritet të nënshkruhet javën e ardhshme.

Parlamentarët e BE-së i kanë kërkuar Komisionit Europian të gjejë një mënyrë të mundshme, që BE të paguajë edhe disa fatura të tjera të papaguara, të cilat kapin shifrën e 25 miliardë eurove. Ato përfshijnë disa financime për laboratorë, grante për studentët dhe stazhet e punës, bëri të ditur eurodeputeti francez, Jean Arthuis.

Subvencionet e fermerëve dhe mbështetja për rajonet më pak të zhvilluara të BE-së janë fushat ku do të shpenzohet më shumë mes bllokut 28 kombësh. Një tjetër burim fërkimi në negociatat për buxhetin e BE-së është edhe pagesa ekstra prej 2,1 miliardë eurosh që i është kërkuar Britanisë së Madhe për të kontribuar, për shkak të ndikimit të mënyrës së re dhe rregullave të reja të kontabilitetit ndaj llogaritjeve të kontributeve kombëtare. Qeveria britanike e ka refuzuar deri më tani këtë pagesë.

Duke reflektuar shqetësimet mbi rritjen e shpenzimeve, udhëheqësit kanë rënë dakord vitin e kaluar të shkurtojnë buxhetin afatgjatë të BE-së, për vitet 2014-2020, me rreth 3 përqind.

Në buxhetin e 2015-s përfshihen edhe 8 miliardë euro për të nisur planin prej 315 miliardë eurosh të investimeve të shpallur nga Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker. Pjesa më e madhe e kësaj shume do të jetë në formën e garancive mbi huatë apo investimeve private.

Një “task forcë” e BE-së për investimet ka identifikuar 2000 projekte potenciale me vlerë prej 1,3 trilionë euro, përfshi edhe përmirësimin e infrastrukturës së Europës në fusha si transporti, energjia e gjelbërt, shkollat dhe mbrojtja nga përmbytjet.

Komisioni ka bërë të ditur se më shumë se 500 miliarde euro projekte do të nisin përgjatë 3 viteve të ardhshme, teksa disa prej tyre do të financohen nga skema e Junckerit.

Raporti do të diskutohet nga liderët e BE-së në një samit të 18-19 dhjetorit në Bruksel.

Top Channel