Raporti për CIA-n, McCain: Turp kombëtar për Amerikën

10/12/2014 00:00

Sipas senatorit John McCain, raporti i fundit për torturat e CIA-s është një “turp kombëtar për Amerikën”.

“E kam thënë edhe më herët, kjo nuk u përket armiqve tanë, kjo na përket neve. Kjo ka të bëjë me atë që ne kemi qenë, me atë që jemi dhe me atë që ne synojmë të jemi”, shprehet McCain.

McCain, i torturuar gjatë Luftës së Vietnamit, ka kundërshtuar fuqishëm edhe më parë përdorimin e “teknikave të marrjes në pyetje”, të tilla si torturat me ujë kundër të dyshuarve për terrorizëm.

Raporti i Senatit të Shteteve të Bashkuara, me detaje të metodave dhe torturave të ushtruara nga CIA ndër vite, u publikua gjatë ditës së martë. Sipas raportit CIA, ka përdorur taktika “brutale” të marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm në vitet pas sulmeve të 11 shtatorit.

Përmbledhja e Komisionit të Shërbimeve Sekrete në Senatin amerikan thotë gjithashtu se, CIA keqinformoi amerikanët mbi efikasitetin e zgjerimit të procesit të marrjes në pyetje.

Top Channel