Juventus synon tashmë një “big”, Llorente i trembet Realit

10/12/2014 00:00

Për Juventusin mjaftonte një barazim për të kaluar në fazën me eliminim direkt të Champions League dhe, për këtë objektiv, një ndihmesë ka dhënë edhe Gigi Buffon në minutat e para.

Kapiteni i bardhezinjve ruajti të paprekur katërkëndëshin e tij në minutën e 7 të takimit, pas goditjes së Koke. Tashmë, të gjithë duken të lumtur për këtë arritje, madje shprehen edhe të pafrikësuar për atë që i pret në vijim.

Edhe pse në 1/8-at e finaleve, bardhezinjve do t’u duhet të ndeshen me një prej shumë emrave të mëdhenj: Real Madrid, Monako, Borussia Dortmund, Bayern Munchen, Chelsea dhe Porto.

“Në fund, për shkak të komplikimit të situatës pas 3 ndeshjeve të para, besoj se kemi qenë të zotë që jemi rikthyer në garë – shpjegon portieri. – Mbërritëm në raundin e fundit ku na duhej vetëm një barazim, edhe pse duhej të kishim siguruar kualifikimin 1 ose 2 ndeshje më herët. Gjithsesi nuk ndryshon asgjë nëse je i pari apo i dyti sa i përket ndeshjeve të ardhshme: nëse je më i forti gjithsesi do të fitosh. Atletico është një ekip me nivel ndërkombëtar, është mes 4 apo 5 ekipeve të para në botë. Ecuria që ka pasur në Europë këto vite nuk ka qenë rastësi, pasi po e konfirmon edhe këtë sezon”.

Edhe Pogba ruan të njëjtën linjë me Buffon, por shkon edhe më tej. “Kë do të doja të sfidoja në Champions tashmë? Cilindo, pasi ne luajmë vetëm për t’u kualifikuar. Ndaj më të fortëve luhet për të qenë më i forti”.

Ndërsa i vetmi që devijon nga kjo linjë është Fernando Llorente. “Në 1/8-at e finaleve do të doja cilindo, përveç Real Madridit”.

Top Channel