Champions, në pritje të dy skuadrave të fundit për në 1/8-at

10/12/2014 00:00

Dita e sotme do të përcaktojë edhe ekipet e fundit të kualifikuara për raundin e 1/8-ave të finaleve, apo atë që starton përballjet me eliminim direkt në Champions League.

Janë 6 skuadra që e kanë siguruar tashmë një biletë kualifikuese ndër grupet E, F, G dhe H, por mbetet të vendosen edhe 2 skuadrat e fundit që kalojnë fazën me grupe, si dhe të tjera që do të përcaktojnë se kush do të luajë në Europa League dhe kush do t’i thotë lamtumirë Europës.

Sa i përket grupit E, i cili konsiderohet si më delikati, vendi i parë është rrëmbyer prej kohësh nga Bayern Munchen. Në Bavari do të shkojnë rusët e CSKA Moskës, të cilët gjenden në kuotën e 5 pikëve, së bashku me Romën dhe Manchester Cityn, të cilët në fakt do të përballen për “jetë a vdekje” në “Olimpico”. Ndaj, janë tri skuadra për 1 vend në 1/8-at e finaleve. Roma do të kualifikohej nëse fiton, por edhe nëse barazon ndaj anglezëve, me kusht që edhe rusët të mos fitojnë në “Allianz Arena”. Rusët në fakt do të kualifikoheshin vetëm në rast fitoreje në Gjermani, ndaj gjigantëve të Bundesligës. City duhet të fitojë me çdo kusht dhe të shpresojë që CSKA të mos bëjë të njëjtën gjë, apo të paktën të barazojë me gola me shpresë që të mos fitojnë rusët.

Grupi F dominohet nga PSG dhe Barça, të cilët do të sfidojnë njëra-tjetrën në “Camp Nou” vetëm për kreun e grupit. Ibrahimovic do t’iu mjaftonte edhe barazimi për të qëndruar në krye. Por, përballë është Messi, i cili synon të rrisë më tej rekordin e tij të golave në Champions. Ndërsa në Amsterdam do të luajë Ajaksi me APOEL Nikosinë, për një vend në Europa League, ku për holandezët do të mjaftonte të mos humbisnin.

Grupi G kryesohet nga Chelsea i pamposhtur deri më tani në Champions, i cili do të përpiqet t’ia vështirësojë “jetën” Sportingut të Lisbonës, të dytët në grup, teksa portugezët kanë 2 pikë avantazh ndaj gjermanëve të Schalke 04. Të besuarit e Di Matteos do të zbresin në fushë ndaj Mariborit, në Slloveni. Portugezëve do t’iu mjaftonte një barazim për të kaluar, por do të siguronin një biletë pavarësisht nga rezultati i tyre në “Stamford Bridge”, nëse gjermanët nuk do të fitonin. Për Di Matteon, me çdo kusht duhet fitorja, por edhe shpresa që Chelsea i tij i vjetër të mos “tolerojë”. Ndërsa sllovenët, nëse fitojnë, do të kualifikoheshin për në Europa League.

Grupi i fundit është H, me Porton kryesues dhe Shakhtar Donetsk në vendin e dytë. Këtu nuk flitet thuajse për asgjë, pasi dy të parat janë të sigurta për vendet e tyre. Në garë vetëm vendi i tretë, ku Athletic Bilbao dhe BATE Borisov do të përballen në Spanjë. Baskëve do t’iu mjaftonte të mos humbisnin ndaj një kundërshtari që ka shënuar vetëm 2 gola dhe ka pësuar 22.

Top Channel