Fituese e Nobelit, Yousafzai “shpreson të bëhet kryeministre” e Pakistanit

10/12/2014 00:00

Aktivistja pakistaneze, Malala Yousafzai, e cila ka mbërritur në Oslo të Norvegjisë për të marrë çmimin Nobel për Paqe, ka thënë për BBC se shpreson të ketë një karrierë në politikë. Ajo tha madje se mund të aspirojë të bëhet kryeministre e Pakistanit, sapo të ketë përfunduar studimet e saj në Britaninë e Madhe.

Yousafzai u shpall fituese e çmimit prestigjioz, së bashku me Kailash Satyarthi, një aktivist indian për të drejtat e fëmijëve. Pakistanezja u qëllua në kokë nga disa të armatosur talebanë në tetor të vitit 2012, për shkak se po bënte fushatë për edukimin e femrave. Yousafzai është fituesja më e re në histori e çmimit Nobel për Paqen.

“Dua t’i shërbej vendit tim dhe ëndrra ime është që Pakistani të bëhet një vend i zhvilluar. Ndërsa për çdo fëmijë mendoj se duhet të edukohet”, tha Yousafzai për Stephen Sackur të BBC-së në Oslo. Ajo është shprehur gjithashtu se është frymëzuar nga Benazir Bhutto, femra e cila shërbeu dy herë si kryeministre e Pakistanit, përpara se sa të gjente vdekjen gjatë një atentati në vitin 2007.

“Nëse do të mund t’i shërbeja vendit tim përmes politikës dhe duke u bërë kryeministre, sigurisht që do ta zgjidhja pa më të voglin dyshim”, tha Yousafzai. Adoleshentja u shpreh se ishte një nder i madh të fitonte çmimin Nobel për Paqen së bashku me Kailash Satyarthi.

“E kam pasur këtë dëshirë që prej fillimit, për të parë fëmijët të shkonin nëpër shkolla, ndaj dhe e nisa këtë fushatë”, u shpreh ajo. “Ky çmim është tepër i rëndësishëm për mua dhe më jep më shumë shpresë, më shumë kurajo, si dhe më bën edhe më të fortë se kurrë më parë, sepse e shoh që shumë njerëz janë përkrah meje. E di që kam më tepër përgjegjësi, por shpresoj që ato t’i mbaj mbi supet e mia. Ndihem mirënjohëse ndaj Zotit dhe ndaj vetvetes, por edhe përgjegjëse për t’i shërbyer komunitetit tim. Është detyra ime”.

Në një konferencë të përbashkët me Satyarthin gjatë së martës, 17-vjeçarja përsëriti mesazhin e saj se vajzat kanë po aq të drejtë për edukim sa dhe meshkujt.

Dy të vlerësuarit me Nobelin kanë ndarë mes tyre vlerën prej 1,4 milionë dollarësh, ndërsa janë nominuar për shkak të punës së tyre në mbrojtje të fëmijëve nga skllavërimi, ekstremizmi apo edhe nga puna e detyruar, duke u vendosur në rrezik të madh për jetët e tyre.

Yousafzai u shpreh gjithashtu se ishte e zhgënjyer që kryeministrat e Indisë dhe të Pakistanit nuk ishin të pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të çmimit.

Top Channel