Francë, Hollande mirëpret pengun e liruar Lazarevic

10/12/2014 00:00

Pengu i fundit francez është rikthyer në shtëpi gjatë së mërkurës, pas 3 vitesh mungesë lirie, teksa është mirëpritur nga Presidenti Francois Hollande, i cili paralajmëroi qytetarët e tij të mos udhëtojnë në zonat me rrezikshmëri të madhe.

Lirimi i 50-vjeçarit Serge Lazarevic, i cili u mor peng nga dega afrikanoveriore e Al Kaedës, AQIM, në Mali gjatë fundvitit 2011, rezulton edhe një hap pozitiv për Hollande, pavarësisht se ende mbeten të mistershme rrethanat e lirimit të tij.

Lazarevic, tepër entuziast, është takuar me familjen e tij dhe me Presidentin sapo zbriti në pistën e aeroportit “Villacoublay” të Parisit, i nisur fillimisht nga Nigeri.

“Të qenit një peng është tepër e vështirë, mos e konsideroni të lehtë. Por, jeta është e bukur, madje të jesh i lirë sërish edhe më e bukur”, tha Lazarevic për reporterët që e pritën në aeroport. “Kisha harruar se çfarë ishte liria, por ju nuk duhet ta harroni kurrë. Jini të kujdesshëm, sepse liria është gjëja më e paçmueshme”.

Lazarevic u lirua të martën, ndërkohë që Hollande mohoi që Franca të ketë paguar shpërblim. Në lirimin e tij u përfshinë si Mali, ashtu dhe Nigeri, por autoritetet e këtyre vendeve nuk dhanë asnjë detaj për këtë ndikim.

“Mirësevjen Serge Lazarevic. Të kemi pritur për 3 vjet, gjatë të cilave ti ke vuajtur shumë”, u shpreh Presidenti Hollande, me ish-pengun në krah. “Tashmë je në shtëpi dhe është kënaqësi të të kemi sërish mes nesh”.

Hollande, duke iu referuar pengut tjetër francez, Philippe Verdun, i vrarë nga pengmarrësit në Mali vitin e kaluar, paralajmëroi shtetasit e tij të shmangin zonat me rrezikshmëri të lartë. “Sigurohuni të mos shkoni aty ku mund të merreni peng. Jetojmë në një botë të rrezikshme, ka zona ku nuk duhet të fluturoni, pasi i dimë shumë mirë risqet”, deklaroi Hollande.

Top Channel