Tritol dhe letër kërcënuese në një banesë: Je i vdekur!

10/12/2014 00:00

Konkurrenca e tregtisë së druve të zjarrit ka sjellë edhe kërcënimin e
një 29-vjeçari nga fshati Miras i Rrethit Devoll. Një sasi e
konsiderueshme eksplozivi është vendosur në garazhin e tij, ndërsa
bashkëngjitur ka qenë edhe një zarf, i cili përmbante një letër me fjalë
kërcënuese.

Sipas të dhënave, ngjarja është konstatuar mbrëmjen e së hënës nga vetë 29-vjeçari Nerti Hoxha, i cili kishte shkuar në garazhin e tij për të parkuar automjetin, ndërsa ka vënë re kallëpin e tritolit. Menjëherë pasi ka parë se diçka nuk po shkonte, 29-vjeçari ka shkuar drejt banesës së tij, ku iu ka komunikuar familjarëve se për çfarë bëhej fjalë. Babai i 29-vjeçarit, Ylver Hoxha, thotë për gazetën se, pasi ka parë djalin e tij të shqetësuar, ia ka marrë letrën nga dora dhe ka lexuar përmbajtjen e saj, ku shkruhej qartazi kërcënimi me jetë për familjen Hoxha.

60-vjeçari, mjaft i tronditur nga kjo ngjarje, shton se ky është kërcënimi i dytë për familjen e tij, pasi vetëm një muaj më parë persona të paidentifikuar kishin lënë një letër kërcënuese në automjetin e djalit të tij, ndërsa thotë se dyshimi i tij është për konflikte pronësie.

Ndërkaq, nga burime pranë Policisë së Devollit thuhet se sasia e eksplozivit ishte e përgatitur me detonator dhe fitil ndezës, ndërsa nga kjo e fundit po hetohet në dy pista konflikti për pronësinë dhe ajo e konkurrencës së transportimit të druve të zjarrit. Teksa jepen pistat e hetimit ku po hetohet, Policia e Devollit po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët paraprakisht nga burime zyrtare mendohet se janë banorë të fshatit Miras. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Ylver Hoxha tregon për të gjithë kërcënimin.

Kur ndodhi dhe si e zbuluat lëndën plasëse në garazhin tuaj?

Mbrëmjen e së hënës, pasi mbyllëm dyqanin ushqimor, të cilin e kemi në qendër të fshatit Miras, djali shkoi të parkonte makinën në garazh, i cili ndodhet pak metra larg banesës ku ne jetojmë. Në momentin që djali kishte hapur derën e garazhit, kishte vënë re një pako dhe një letër, e cila ishte futur poshtë derës. Pasi e kishte parë që pakoja përmbante lëndë plasëse, djali erdhi me një frymë në shtëpi. E pashë në fytyrë që ishte shumë i trembur. Ia mora nga dora dhe e hodha jashtë shtëpisë, sepse u frikësova, ndërsa mora letrën që djali po e mbante në dorë. Atje ishin shkruar shumë fjalë ofenduese dhe kërcënuese. Menjëherë lajmërova policinë, e cila pas disa minutash mbërriti në vendin e ngjarjes.

Çfarë shkruhej në letër?

Kërcënohej me jetë djali im. Kishte mjaft fjalë të rënda dhe tronditëse. Nuk e mbaj mend mirë se isha i shqetësuar. Fjalë të tilla si: “Ti je spiun. Ti je legen djalë. Mos u ngatërro me punët tona se do të vras. Do t’iu shuajmë si familje. Je i vdekur”. Përveç kësaj, kishte edhe shumë fjalë fyese, mjaft banale.

Ju keni pasur konflikte me persona të tjerë?

I vetmi konflikt që kemi, ka të bëjë me pronësinë e një dyqani dhe asnjë konflikt tjetër, sepse ne jemi njerëz që shohim punën dhe punojmë me djersën e ballit. Bëhet fjalë për një dyqan ushqimor në qendër të Mirasit. Është një ndërtesë që unë së bashku me vëllezërit e mi e kemi blerë vite më parë dhe disponojmë të gjitha dokumentet e nevojshme. Kohë më parë kemi pasur mosmarrëveshje me disa kushërinj të pronarit që i kemi blerë dyqanin, por pas disa proceseve gjyqësore ne kemi fituar të gjitha të drejtat e pronësisë së godinës, e cila funksionon si dyqan. Kaq. Nuk di ç’të them më tej, ndoshta mund të jetë kjo shkaku i ngjarjes, ndaj kërkoj me ngulm nga policia të zbardhë sa më shpejt ngjarjen.

Kjo është hera e parë që kërcënoheni?

Jo, kjo është hera e dytë brenda një muaji. Vetëm një muaj më parë, në automjetin e djalit, pikërisht në xhamin përpara, ishte vendosur një letër, e cila mbante fjalën kërcënuese ‘je i vdekur’. Nuk e denoncuam këtë rast në polici, pasi menduam se ishte një lojë apo shaka. Por rasti i djeshëm më shqetëson vërtet dhe ndihemi në rrezik familjarisht, sepse mesa shoh kjo nuk mund të merret si shaka, pasi po kërcënohemi seriozisht me jetë.

Ndërkaq, policia po heton edhe në pistën e transportit të druve, ju merreni me këtë aktivitet?

Transporti i druve ka qenë aktiviteti me të cilin mbijetonim kohë më parë, ndërsa sot kemi hequr dorë dhe merremi me bujqësi. Policia mund të hetojë në shumë pista, por unë dua që kjo ngjarje të zbardhet sa më parë, pasi familja ime është në rrezik dhe duhet që të kapen autorët që kanë lidhje me këtë ngjarje.

Top Channel