SHBA, Sekretari Kerry përgëzon Kosovën për Qeverinë e re

10/12/2014 00:00

Konstituimin e Kuvendit dhe Qeverinë e ka pritur mirë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili ka thënë se pret të punojnë për së afërmi me institucionet e Kosovës në përballjen me sfidat e shumta të Kosovës, përfshirë dialogun me Serbinë dhe themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do të merret me akuzat e hetuara nga Task Forca Speciale Hetimore.

Ai ka thënë se kjo qeveri e koalicionit dhe procesi, që çoi në formimin e saj, tregojnë qëndrueshmërinë dhe vitalitetin e institucioneve politike dhe demokratike të Kosovës.

Ja deklarata e plotë e Sekretarit Kerry lidhur me formimin e Qeverisë në Kosovë:

“Ne e përgëzojmë Kosovën për konstituimin e Kuvendit të saj dhe formimin e qeverisë së saj – tranzicionin e parë demokratik të pushtetit politik të dalë nga zgjedhjet e lira dhe të drejta në gjithë territorin e Kosovës. Kjo qeveri e koalicionit dhe procesi, që çoi në formimin e saj, tregojnë qëndrueshmërinë dhe vitalitetin e institucioneve politike dhe demokratike të Kosovës. Ne e përgëzojmë Presidenten Jahjaga për lidershipin e saj të palëkundur, për të siguruar që ky tranzicion të jetë në pajtueshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Ne po ashtu përgëzojmë Kryeministrin Isa Mustafa dhe presim që të punojmë afërsisht me të dhe me kabinetin e tij të ri, gjersa ata përballen me sfidat e shumta të Kosovës dhe rajonit. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përkrahin përpjekjet e Kosovës në tejkalimin e këtyre sfidave, përfshirë dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, por dhe në përkushtimin e Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale, për t’u marrë me akuzat e hetuara nga Task Forca Speciale Hetimore. Ne presim nga qeveria, që të punojë në mënyrë gjithëpërfshirësë për të përkrahur të gjitha komunitetet e Kosovës dhe që të merret seriozisht me çështjen e korrupsionit. Presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë me Kosovën, lidhur me axhendën e përbashkët, që e çon përpara zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës dhe integrimet euroatlantike”.

Top Channel