Raporti mbi torturat e CIA-s, thirrje për ndjekje penale të zyrtarëve

10/12/2014 00:00

Ashtu siç pritej, reagimet ndaj raportit të Senatit amerikan mbi metodat e marrjes në pyetje nga CIA kanë qenë të menjëhershme. Përfaqësues të OKB-së dhe grupeve të të drejtave të njeriut kërkojnë ndjekjen penale të të gjithë zyrtarëve të përfshirë, në praktikat e cilësuara prej tyre si “brutale”.

Për raportuesin e posaçëm të antiterrorizmit në OKB, Ben Emmerson, nuk ka dyshime se e gjithë kjo ka qenë një politikë e qartë, e orkestruar në nivele të larta të shtetit.

“Zyrtarët e lartë të administratës së George W. Bush, që planifikuan e lejuan këto krime, duhen të ndiqen penalisht, ashtu si dhe zyrtarët e CIA-s, përgjegjës për tortura të tilla, si simulimi i mbytjes me ujë. Sa i takon ligjit ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të detyruara t’i nxjerrin personat përgjegjës para drejtësisë”, tha Ben Emmerson, përfaqësues i OKB-së për të drejtat e njeriut dhe antiterrorizmin.

Drejtori ekzekutiv i “Human Rights Watch”, Kenneth Roth, i cilësoi veprimet e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës “kriminale”, e tha se për to nuk mund të ketë kurrë asnjë justifikim. Por nëse ky proces i rëndësishëm i nxjerrjes në dritë të së vërtetës nuk çon në gjykimin e zyrtarëve të përfshirë, atëherë tortura – shton ai, – do të mbetet një “opsion politikash” edhe për Presidentët e ardhshëm.

Unioni për liritë civile në Amerikë argumentoi se Prokurori i Përgjithshëm në këtë pikë duhet të caktojë një prokuror të posaçëm, i cili të ndërmarrë “një hetim të pavarur e të plotë mbi të gjithë zyrtarët e administratës së Bushit, të cilët kanë krijuar, aprovuar, realizuar apo edhe mbuluar, programin e torturave”.

Në përmbledhjen më shumë se 600-faqëshe gjenden përgjigje dramatike të pyetjeve: Sa brutale ishin metodat e marrjes në pyetje nga CIA pas 11 shtatorit 2001? Çfarë dinte ish-Presidenti Bush? A e ka gënjyer CIA sistematikisht atë dhe administratën e tij? A ka zbuluar agjencia gjëra të rëndësishme prej marrjes së dhunshme në pyetje?

Raporti dokumenton burgimin e fshehtë jashtë vendit të të paktën 119 individëve dhe përdorimin e teknikave detyruese të marrjes në pyetje, të cilat në disa raste shkojnë deri në torturë.

Top Channel