Manjati rus do t’i kthejë medaljen e Nobelit shkencëtarit amerikan

10/12/2014 00:00

Njeriu më i pasur i Rusisë, Alisher Usmanov, manjat i çelikut dhe telekomit, ka bërë të ditur se i kishte blerë shkencëtarit amerikan, James Watson, medaljen e artë të Çmimit Nobel, dhe se tashmë ka për synim t’ia rikthejë atij.

Usmanov tha se Watson “e meriton” medaljen dhe se ndihej “i keqardhur”, që shkencëtari kishte qenë i detyruar ta shiste atë.

Medalja, e cila i është dhënë Watsonit në vitin 1962 për zbulimin e strukturës së ADN-së, u shit në një ankand për 4,8 milionë dollarë. Ajo është e para medalje e Çmimit Nobel që është nxjerrë në shitje nga një fitues që jeton ende.

Çmimi i vitit 1962 iu dha Watsonit, së bashku me Maurice Wilkins dhe Francis Crick, teksa secili prej tyre mori nga një medalje të artë. Watson, tashmë 86 vjeç, është shprehur se kishte planifikuar të dhuronte një pjesë të fitimeve për bamirësi dhe në mbështetje të kërkimeve shkencore.

Në një intervistë për “Financial Times” së fundi, Watson tha se ishte ndierë si një qenie “johumane” që prej intervistës së dhënë 7 vjet më parë për “Sunday Times”, në të cilën ai lidhi racën me inteligjencën.

Usmanov tha përmes një deklarate se ishte personi ofrues anonim, i cili kishte telefonuar dhe kishte blerë medaljen në shtëpinë e ankandeve “Christie’s”, gjatë javës së kaluar. “Për mendimin tim, situata, pas së cilës një shkencëtar i shquar është detyruar të shesë një medalje mirënjohjeje për arritjet e tij, është e papranueshme”, shtoi ai. “James Watson është një nga biologët më të mëdhenj në historinë e njerëzimit, ndaj dhe vlerësimi për zbulimin e strukturës së ADN-së duhet t’i përkasë vetëm atij”.

Usmanov, i cili sipas renditjes së revistës “Forbes” ka një pasuri prej 15,8 miliardë dollarësh, është një nga aksionerët kryesorë të klubit të futbollit Arsenal të Londrës, ndërsa është vlerësuar si njeriu më i pasur në Britani, sipas tabloidit “Sunday Times”, për vitin 2013.

Top Channel