Britani, vështirësi të mëdha në veriperëndim prej motit të keq

10/12/2014 00:00

Erëra të forta e dallgë të larta raportohen në disa zona veriperëndimore të Mbretërisë së Bashkuar, ku moti i keq ka shkaktuar probleme të mëdha të qarkullimit nëpër rrugë dhe të furnizimit me energji elektrike.

Stuhia “bombë e motit”, siç e quan BBC, ka shkaktuar qindra goditje nga rrufeja, e për pasoje edhe shkëputjen e energjisë në ishujt perëndimorë, prej së cilës janë prekur gati 17.000 shtëpi.

Zyra e Meteorologjisë ka lëshuar paralajmërime për zona të caktuara të Skocisë dhe Irlandës Veriore, që të përgatiten për kushte të vështira atmosferike, pasi stuhia po merr forcë, me erëra që shkojnë deri në 80 metra në orë. Pikun ato priten ta mbërrijnë në orët e mbrëmjes.

Banorët janë njoftuar gjithashtu edhe për rrezikun e përmbytjeve.

Britania përgatitet për tri ditë kaosi, shkruan “Dailymail”: det i trazuar, erëra të acarta, ngricë; të gjitha këto janë pasojë e “bombës së motit” në Atlantik. Cikloni ka detyruar autoritetet rajonale në zonat e kërcënuara të ngrenë nivelin e rrezikut në të verdhë.

Shkollat, dyqanet dhe zyrat atje janë mbyllur, e për masë paraprake është kufizuar edhe lëvizja e trenave. Zyrtarët thonë se po marrin masa për uljen e papritur të temperaturave dhe, në pritje të reshjeve të mëdha të dëborës e bllokimti të rrugëve, depot janë mbushur me kripë.

Top Channel