Humb jetën ministri palestinez, u godit nga ushtarët izraelitë

10/12/2014 00:00

Një ministër palestinez ka ndërruar jetë, pak pasi është goditur nga ushtarët izraelitë gjatë një proteste të së mërkurës në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Lajmin e bën të ditur një fotograf i agjencisë “Reuters”, dëshmitar i incidentit dhe burime të shëndetësisë palestineze. 

Ziad Abu Ein, ministër pa portofol rreth të 50-ave, është larguar me ambulancë nga vendngjarja, në fshatin Turmusiya, por raportohet të ketë ndërruar jetë gjatë rrugës, në qytetin palestinez të Ramallahut.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, përmes një deklarate, e quajti vdekjen e Abu Ein “një akt barbar, për të cilin as nuk mund të heshtim dhe as nuk mund ta pranojmë”. Duke shpallur tri ditë zie kombëtare, Abbas tha se do të merrte “hapat e nevojshëm” pas një hetimi të plotë.

Ushtria izraelite ka nisur hetimet mbi këtë incident, tha një zëdhënëse izraelite, e cila nuk dha detaje të mëtejshme mbi të.

Rreth 100 aktivistë të huaj dhe palestinezë të Komitetit për Rezistencë ndaj Vendbanimeve dhe Murit, organizatë protestuese qeveritare që kryesohej nga Abu Ein, ishin në vendngjarje për të mbjellë pemë dhe protestuan pranë një blloku banimi izraelit, kur u ndalën në një pikë kontrolli, thanë dëshmitarë.

Një grup prej 15 ushtarësh izraelitë përdorën gazin lotsjellës ndaj tyre dhe nisën përlesheshin me ta.

Abu Ein është goditur me grusht në qafë, pas një përplasjeje me dy prej ushtarëve, e menjëherë u largua me ambulancë nga vendngjarja, deklaroi fotografi i “Reuters”.

Tensionet bilaterale janë përshkallëzuar gjatë javëve të fundit për shkak të vrasjes së 10 izraelitëve dhe një vizitori të huaj nga sulmet e palestinezëve. Më shumë se dhjetë palestinezë janë vrarë gjatë kësaj periudhe, shumica e të cilëve janë akuzuar si nxitës të sulmeve.

Top Channel