Siri, vriten 3 gazetarë të televizionit të opozitës

10/12/2014 00:00

Tre gazetarë të televizionit opozitar sirian “Orient News” janë vrarë teksa përpiqeshin të mbulonin përleshjet e armatosura në jug-perëndim të vendit.

Kanali televiziv në fjalë bëri të ditur se një raketë goditi automjetin e tyre teksa ata udhëtonin për në lokalitetin Sheikh Misken, në provincën e Derasë.

Burimi mediatik nënvizoi se beson se tre reporterët u goditën qëllimisht nga forcat e qeverisë.

Mbi 70 gazetarë janë vrarë, ndërsa në Siri në përpjekje për të mbuluar luftimet që zgjasin prej 3 vjetësh. Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, shumica e tyre janë gazetarë lokalë.

“Orient News” njoftoi se gazetarët Rami Asmi dhe Yousef El Dous dhe kameramani Salem Khalil do të raportonin mbi avancimin e fundit të rebelëve, pas javësh të tëra luftime në lokalitetin Sheikh Misken, kur makina e tyre u godit nga një raketë e telekomanduar.

Pak minuta para se të vriteshin ata kishin kaluar forcat e qeverisë në fshatin Qarfa, prej nga u lëshua edhe raketa, njoftoi “Orient News”.

Makina nuk kishte shenjën e përfaqësimit të medias, por televizioni opozitar tha se ajo mund të identifikohej pasi po mbante një antenë satelitore me një diametër prej 1.8 metra.

Nga ana tjetër, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve deklaroi se nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur zërat se makina u godit qëllimisht, por kërkimet e kryera tregojnë se jo pak herë forcat qeveritare kanë vënë në shënjestër gazetarë, në përpjekje për të çensuruar punën e tyre.

E ndërsa vëmendja e gjithë botës është e fokusuar tek betejat mes rebelëve, Shtetit Islamik dhe forcave të qeverisë në veri të Sirisë, rebelët pro-Perëndimorë në jug të Damaskut kanë arritur të marrin nën kontroll territorin dhe ta mbajnë atë nën dominimin e tyre në tre muajt e fundit, në provincën e Derasë, përgjatë kufirit me Jordaninë dhe Lartësive Golan.

Top Channel