Ferri mbi tokë, spitali më i rrezikshëm në botë

10/12/2014 00:00

Duhej të ishte një vend miqësor për njerëzit me probleme mendore, por në të vërtetë është vetë ferri mbi tokë.

Një grup i BBC dokumentoi kushtet çnjerëzore që kalojnë pacientët e një spitali psikiatrik në Guatemala. Fatkeqëve të mbyllur në këtë institucion, jo vetëm që nuk u ofrohet ndihma e nevojshme mendore e fizike, por janë edhe objekt abuzimesh e torturash.

Gjithçka u zbardh prej televizionit britanik pas denoncimeve të mëherëshme të grupeve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut që ndër vite kanë denoncuar gjendjen e spitalit “Federico Mora”.

Ata thonë se pacientët dhunohen seksualisht, lihen pa ngrënë, pa larë dhe rrihen sistematikisht prej stafit kujdesës dhe shpesh nga vetë drejtori i spitalit.

Grupi i BBC-së u paraqit i maskuar si anëtar i një organizate që do të akordonte një fond për përmirësimin e kushteve. Kjo ishte e vetmja mënyrë që të mund të filmoje me kamera të fshehtë brenda ambienteve të spitalit.

Gazetari Chris Rogers thotë se ajo që pa shkonte përtej asaj që kishte menduar. Pacientët flinin në krevate pa dyshekë, një pjesë e madhe e tyre shtrihej në shesh, të paveshur ose të veshur keq, të palarë prej kohësh e të mbuluar nga vetë jashtëqitja e tyre dhe në gjendje konstante të qetësuesve të fortë që u jepte stafi.

Dy ish-paciente të spitalit deklarojnë se janë përdhunuar nga stafi dhe nga vetë mjekët. Njëra thotë se ishte vetëm 17-vjeç kur është përdhunuar në gjendje krejtësisht të pavetëdijshme dhe vendosur në gjumë nga qetësuesit e fortë.

“Më vunë në gjumë me ndihmën e qetësuesve dhe nuk mbaj mend gjë. Kuptova se çfarë kishte ndodhur kur u zgjova në mëngjes dhe pashë gjakderdhje. Kuptova se kisha humbur pafajësinë time”, thotë ajo për BBC.

Vetë autoritetet e Guatemalës kanë pranuar abuzimet në këtë qendër të trajtimit të shëndetit mendor, por thotë se tashmë gjërat janë duke u përmirësuar. Kur pyeten për rastet e përdhunimeve, ato i mohojnë akuzat.

Pas publikimit të pamjeve nga BBC qeveria dhe autoritetet e Guatemalës premtuan përmirësimin e kushteve, por aktivistë dhe organizata të të drejtave të njeriut shprehen pesimiste pasi të tilla premtime janë bërë edhe në të shkuarën.

“Varfëria dhe ekonomia e dobët nuk janë justifikime për gjendjen në të cilën ndodhet ky spital”, thonë aktivistët e të drejtave të njeriut.

Top Channel