Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni ka konfirmuar se dy shpërthime kanë ndodhur mbrëmjen e së martës në afërsi të stacioneve policore në qytetet e Tetovës dhe Kumanovës.

Megjithatë, zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski ka thënë se ende nuk dihet nëse objektiv i sulmit kanë qenë ndërtesat e policisë në këto dy qytete, dhe po ashtu nuk dihen as motivet dhe autorët e këtyre atentateve.

“Ende nuk është vërtetuar se kush janë autorët, as cilat kanë qenë motivet. Gjithçka që mund të themi është se në periudhën prej orës 20:00 deri në 20:30 është denoncuar në policinë e Tetovës dhe atë të Kumanovës se jashtë stacioneve policore janë dëgjuar shpërthime. Pra, nuk bëhet fjalë për oborrin e stacioneve policore. Asnjë stacion policor nuk është dëmtuar, nuk ka marrë dëme materiale dhe as agjentët nuk kanë qenë në rrezik. Ende po zhvillohen hetime, por sipas analizave të para, më e besueshme është pista se nuk bëhet fjalë për bomba ose bomba dore”, ka thënë Kotevski.

Mbrëmjen e së martës, rreth orës 20, në afërsi të stacionit policor në Tetovë është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm që raportohet të jetë shkaktuar nga një bombë, ndërsa një orë më vonë një shpërthim i ngjashëm është dëgjuar edhe në qytetin e Kumanovës, po në afërsi të stacionit të policisë.

Këto shpërthime, që po shtojnë pasigurinë e qytetarëve, ndodhin rreth dy muaj pas sulmit me granata ndaj selisë së qeverisë në Shkup, rast ky që ende nuk është zbardhur.

Top Channel