Një mbrëmje poetike pa dallim moshe

10/12/2014 00:00

Për të tretin vit radhazi u organizua në Tiranë mbrëmja poetike kushtuar moshës së tretë. Tema e këtij viti ishte kushtuar grave në moshë si faktor ndryshimi në të gjithë shoqërinë.

Të moshuara dhe të rinj së bashku u miqësuan për më shumë se një orë duke recituar poezi të zgjedhura në shoqërinë e këngëve dhe pianos. Motivi i mbrëmjes  ishte i qartë, falë mbështetjes së të rinjve, pleqëria mund të jetë e bukur, veçanërisht kur ndërthuret me artin dhe poezinë.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të fushatës globale të 16 ditëve aktivizëm kundër dhunës ndaj grave, ndërsa dita e fundit e fushatës është pikërisht më 10 dhjetor, që njihet si Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Performancat e grave, vajzave dhe fëmijëve synonin të jepnin një mesazh të fortë jo vetëm djemve dhe burrave, por mbarë popullatës, si për të thënë se nëse sot në shoqëri rriten meshkuj të emancipuar, mund të krijohen familje të shëndetshme nesër.

Nuk mungoi performaca e sopranos së mirënjohur Shqipe Zani apo pjesët e luajtura në violinë. Ra në sy gjithashtu kërcimi i ndjerë i mësueses së baletit Nermin Strazimiri me një nga studentët e saj. Edhe pse 68 vjeç, e moshuara dhe djaloshi 15-vjeçar treguan se dy breza mund të mësojnë nga njëri-tjetri e madje të bëjnë art.

Mbrëmja u mbyll sërish me poezi të zgjedhura, ndërsa në fund dy brezat shpalosën një poster ku shkruhej “Respekt” për të gjitha ata që përulen ndaj thinjave, në një kohë ku vlerat humane janë gjithmonë e më të vështira të ruhen.

Top Channel