Raporti mbi CIA-n, mediat e huaja fshikullojnë SHBA

10/12/2014 00:00

Mediat në mbarë botën kanë dënuar duke i cilësuar si shokuese publikimet në raportin e Senatit amerikan mbi torturat brutale të CIA-s ndaj të dyshuarve për terrorizëm.

Vendet që tradicionalisht kritikojnë politikën e jashtme amerikane, si Kina, Rusia dhe Irani e kanë përdorur raportin për të akuzuar Uashingtonin se, “nuk ka të drejtë morale” për të dënuar shkeljet e të drejtave të njeriut në vendet e tjera.

Në disa komente aludohet se administrata demokrate në Shtëpinë e Bardhë ka bërë publikimin e raportit për të sulmuar kundërshtarët republikanë, gjatë qeverisjes së të cilëve ndodhën dhe torturat.

“Ndoshta qeveria amerikane duhet të pastrojë përbërjen e saj më parë dhe pastaj të respektojë të drejtat e vendeve të tjera për t’i zgjidhur vetë problemet e tyre”, shkruan agjencia kineze e lajmeve “Xinhua”.

“Amerika nuk mund të përbëjë as modelin dhe s’mund të jetë as gjykatësi për çështjet e të drejtave të njeriut në vendet e tjera, përfshirë këtu Kinën”, vijon komenti.

Në Rusi, televizioni shtetëror Rossya24 deklaroi në buletinin e tij të lajmeve se raporti i Senatit amerikan “i bën njerëzit të dridhen”. “Kjo është një bombë e vërtetë. Të burgosurit u torturuan me ndërgjegje të plotë”, komentoi një gazetar.

“Përfundimi i punës së senatorëve është se dokumenti dështon në përcaktimin e fajit për këto abuzime ndaj të burgosurve”, tha një prezantues në transmetuesin ndërkombëtar në gjuhën angleze RT.

Ndërsa shtypi francez dënon hapur metodat e përdorura nga CIA. “Shtetet e Bashkuara po përballen me një epokë të errët në historinë e tyre”, shkruan e përditshmja “LeMonde”. “Gënjeshtra dhe tortura”, është ndërkohë titulli kryesor i “L’Express”.

Ndërsa në Spanjë, në një editorial të gazetës “El Pais” thuhet se, pas publikimeve Shtetet e Bashkuara nuk mund ta përfaqësojnë më veten si “simbolin e lirisë”.

Vlerësime për atë që disa analistë e shohin si një hap të guximshëm të Shtëpisë së Bardhë për të publikuar torturat ka pasur vetëm në shtypin gjerman.

“Pranimi i fajit nga administrata Obama ka një rëndësi kombëtare. Vendi që shkëputet nga këto krime meriton respektin më të lartë. Në këtë rast ka fituar ndërgjegjia e Shteteve të Bashkuara”, shkruan gjermania “Bild”.

Top Channel