Festat janë periudha më e bukur e vitit, por shpeshherë dhe momenti kur hedhim në erë buxhetin tonë familjar. Dritat e bukura dhe zbukurimet na magjepsin drejt vitrinave e na bëjnë të shpenzojmë jo vetëm ato që kemi, por edhe ato që nuk kemi.

Dhuratat janë ato që na bëjnë të shpenzojmë më shumë, veçanërisht kërkesat e parezistueshme të fëmijëve, pjesa më e madhe e të cilëve shohin çdo të afërm si babagyshin e mundshëm.  

Por sa kemi menduar të shpenzojmë këtë muaj dhe a kemi bërë ndonjë plan të përcaktuar të cilit do t’i përmbahemi?

“Nuk kam planifikuar asnjë shumë deri tani. Për momentin kam dalë për të parë se çfarë më duhet të blej”, thotë një qytetar.

Ndërsa një grua shprehet: “Sipas rrogës do të blejmë edhe dhuratat. Me mundësitë që kemi do përpiqemi ta kalojmë sa më bukur natën e Vitit të Ri.”

Rezultatet e blerjeve me entuziazëm shihen veçanërisht në fund të muajit ose në muajin pasardhës.

“Në janar shtrëngohemi goxha. Dalim me minus”, thonë konsumatorët.

Mungesa e planifikimit dhe mbetja trokë shpeshherë na e zbehin gjithë gëzimin e festës ku ne pretendojmë të heqim stresin. Ndaj, gjithmonë është më mirë të llogaritësh më shumë për të shijuar atë që shpenzojmë.

Top Channel