INSTAT: Punësimi u rrit me 3.7 përqind

10/12/2014 00:00

Instituti i Statistikave publikoi të dhënat e fundit mbi tregun e punës, duke deklaruar se numri i të punësuarve u rrit me 3.7 përqind krahasuar me një vit më parë.

“Në ndryshim vjetor, kemi në tremujorin e tretë të 2014-ës 76 479 persona më shumë të punësuar se në të njëjtin tremujor të vitit paraardhës dhe 33 311 persona më shumë të punësuar se sa tremujori i dytë i vitit 2014”, deklaroi Filipi.

Por kjo shifër rezulton nga anketa e forcave të punës, të cilën INSTAT e llogarit përmes intervistave në një kampion prej mbi 5 mijë familjesh. Sipas burimeve administrative, rezulton që numri i të punësuarve formalë të cilët paguajnë taksa dhe kontribute të jetë rritur dy herë më pak se kaq ose rreth 37 mijë. Filipi shpjegoi arsyet se pse këto shifra ndryshojnë.

“Ndërkohë që INSTAT përpiqet të kontaktojë qytetarët shqiptarë që janë të punësuar, pavarësisht brenda apo jo një skeme kontributesh, Drejtoria e Tatimeve, apo Instituti i Sigurimeve Shoqërore synojnë se si të kenë mundësi që t’i regjistrojnë kontribuesit në skemën e vet. Është e natyrshme që shifrat tona të ndryshojnë dhe gjatë gjithë viteve kanë ndryshuar gjithmonë”, thotë kreu i INSTAT.

Shifrat e punësimit u shndërruan në një çështje të nxehtë debati politik, kur pak javë më parë qeveria deklaroi se këtë vit janë hapur 81 mijë vende të reja pune formale. Ministria e punës shpjegoi se nga e ka nxjerrë këtë shifër.

“Nga 81 mijë vende të reja pune që presim të realizohen, ose më saktë numrit të kontribuesve që ne presim të realizohen deri në fund të vitit, një e treta janë vende të reja pune, një e treta zbardhje, pra individë që nga informaliteti futen në skemën e sigurimeve shoqërore dhe një e treta ka të bëjë me ligjin e faljes së kamatvonesave në fshat, që është mundësia e fundit për t’u siguruar dhe për të siguruar gjithashtu vitet e kaluara që për një arsye nuk i kanë derdhur kontributet”, thotë Enkelejd Musabelli, Këshilltar i Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.

Sipas qeverisë të dhënat për tremujorin e tretë tregojnë se tregu i punës është rigjallëruar, çka konfirmohet jo vetëm nga rritja e të punësuarve, por edhe forcës aktive të punës.

Top Channel