Bojkoti i opozitës, negociata intensive në PE

10/12/2014 00:00

Megjithëse “shumë pranë”, ende nuk konfirmohet arritja e një kompromisi me Tiranën për marrëveshjen që do t’i mundësonte opozitës kthimin në Kuvend, pas 5 muajve bojkot, me ndërmjetësimin e Parlamentit Europian.

Pas largimit të delegacionit shqiptar të kryesuar nga kryeministri Rama, negociatat kanë vijuar në Parlamentin Europian për të siguruar përkrahje gjithëpërfshirëse ndaj iniciativës së raportuesit për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, i cili mbështetet për këtë nga ndjekësraportuesi për Shqipërinë në PPE, Eduard Kukan.

Të dy eurodeputetët pretendohet të luajnë rol mediator, sipas propozimit të publikuar një ditë më parë në TCH, e për këtë gëzojnë bekimin e dy grupimeve të mëdha politike në Parlamentin Europian, sikundër dhe të Presidentit Martin Shultz, siç konfirmojnë burime konfidenciale pas takimit të tij të një nate më parë me raportuesin për Shqipërinë. Fleckenstein tashmë gëzon mandatin për ndërmjetësim nga e majta europiane, socialistët dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Ndërkohë që në grupimin e djathtë bisedimet pritet të marrin më shumë kohë. Deri tani mësohet se Kukan ka mundur të fitojë besimin e grupit të tij dhe të kreut Weber për këtë mandat, por ai ende mbetet në pritje të përgjigjes përfundimtare nga institucioni i Partisë Demokratike.

Nga burime të tjera mësohet se, në mungesë të kontakteve të duhura partiake, ky konfirmim pritet nga kryetari Lulëzim Basha në zyrën e Presidentit të PPE-së, Weber.

Por, ndërsa afati 24-orësh i lajmëruar skadoi, zyrtarët e Parlamentit Europian shprehen të vendosur për t’u përfshirë në të vetmen mundësi për të ndihmuar kolegët shqiptarë për kapërcimin e situatës këtë fundvit, duke e zgjatur këtë afat kohor deri në fund të javës.

TCH zbardhi një ditë më parë 5 pikat e platformës ku propozohet kthimi i opozitës në Kuvend brenda dhjetorit, paraqitja e një projekt/ligji mbi dekriminalizimin e Parlamentit nga pakica brenda janarit, votimin me konsensus të tij në seancë plenare brenda 6-mujorit të parë të 2015.

Parlamenti Europian ofron mediatorë për ndërmjetësim mes palëve dhe fton Komisionin Europian që të ndihmojë për praktikën më të mirë ligjore dhe monitorimin e zbatimit të marrëveshjes.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel