Pritja e OSBE-së, Berisha largohet teksa flet Rama

10/12/2014 00:00

Zyra e OSBE-së në Tiranë kremtoi mes shumë të ftuarve Ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Në fjalën përshëndetëse, kryeministri Edi Rama u shpreh se, paqja dhe siguria janë gjithmonë në pikëpyetje dhe të lidhura pazgjidhshmërisht me të drejtat e njeriut.

“Sot duhet të vlerësojmë lart ndihmesën e OSBE në kalvarin e gjatë që na u desh të kalonim deri në çlirimin e zgjedhjeve. Sot kemi mundësinë të vlerësojmë gatishmërinë e OSBE edhe në ndihmën ndaj Kosovës, edhe sa i takon të drejtave të pakicave”, deklaroi Rama.

E ndërsa kryeministri Rama fliste, paraardhësi i tij Sali Berisha u largua nga ky aktivitet, për motive që i shpjegoi më vonë nëpërmjet një njoftimi dërguar mediave.

“I thash zëvendësambasadorit të OSBE-së se detyrohem të largohem pasi po flet dhunuesi më i madh i të drejtave të njeriut në Shqipëri, njeriu që ka shndërruar Shqipërinë në vendin e parë në botë për të paraburgosur, më shumë se Siria dhe Iraku”, njoftoi Berisha.‎

Ndërkohë, Rama e mbylli fjalën e tij me një fjali duke iu referuar pranisë së disa deputetëve demokratë. “Nuk kisha pritur kurrë që opozita të rrinte e të dëgjonte fjalën time këtu në prezencë të OSBE-së”, tha kreu i qeverisë.

Top Channel