Plagosje me armë zjarri në qytetin e Shkodrës

10/12/2014 00:00

Një person është plagosur rëndë me armë zjarri në orët e mbrëmjes të së mërkurës në lagjen “Rus” të qytetit të  Shkodrës.

I plagosur ka mbetur shtetasi Ylli Lisi, 31 vjeç banues në lagjen “Dobrac”. Shkak i kësaj ngjarje dyshohet se është bërë një konflikt i çastit për motive të dobëta.

Sipas policisë, 31 vjeçari Ylli Lisi ka qenë në ambientet e një lokali kur ka nisur një konflikt me një tjetër  person, i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 31 vjeçarit Lisi, i cili ka marrë një plumb në kofshë.

Pasi është qëlluar i plagosuri është larguar, duke ecur për rreth 200 metra dhe kjo ka bërë që të humbasë një sasi të konsiderueshme gjaku.

Sipas mjekëve të Spitalit Rajonal të Shkodrës, 31 vjeçari ndodhet në gjendje kritike për jetën pasi plumbi ka prekur arterien kryesore dhe ka humbje të madhe gjaku.

Policia në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet, ku është sekuestruar një gëzhojë pistolete si dhe janë shoqëruar në komisariat 3 persona që dyshohet se kanë  dijeni apo lidhje me këtë ngjarje.

Ndërkohë  policia  për momentin ende nuk ka identifikuar autorin e kësaj ngjarje që ka pasur si motiv një grindje të çastit.

Top Channel