Kongresi amerikan miraton sanksione ndaj Venezuelës

11/12/2014 00:00

Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një projektligj, i cili do të vendosë sanksione mbi zyrtarët e Venezuelës që vërtetohen se kanë shkelur të drejtat e protestuesve.

Votimi u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe gjatë kësaj jave pritet të marrë edhe miratimin e Senatit.

Presidenti i Venezuelës, Nicholas Maduro reagoi menjëherë, duke u shprehur se Shtetet e Bashkuara po synojnë të sfidojnë Venezuelën me sanksione dhe kërcënime. “Kush është Senati amerikan për të vendosur sanksione ndaj atdheut të Bolivar?”, është shprehur Maduro, duke iu referuar liderit të pavarësisë së Venezuelës në shekullin e 19-të.  

Marrëdhëniet mes Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë të tensionuara për vite dhe BBC shkruan se vendosja e këtyre sanksioneve mund të përkeqësoi më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.

Më shumë se 40 njerëz u vranë në protestat e dhunshme të nisura më 4 shkurt në Venezuelë.

Kombet e Bashkuara kanë dënuar dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, duke i bërë thirrje qeverisë që njerëzit të mos penalizoheshin për ushtrimin e të drejtave të tyre për tubime paqësore dhe të lirisë së shprehjes. Qeveria venezueliane tha se udhëheqësit e opozitës kishin nxitur protestuesit për të kryer një grusht shteti kundër presidentit Maduro. Në kulmin e protestave, në muajin shkurt, lideri i opozitës, Leopoldo Lopez u arrestua dhe akuzohet për nxitje të dhunës.

Top Channel