Bien medaljet e peshëngritjes shqiptare. Edhe Godelli me doping

11/12/2014 00:00

Ende pa u mbyllur festa dhe entuziazmi, pikërisht sporti që na bën
shpeshherë krenarë, peshëngritja, eshte ai që ka dëmtuar edhe më tepër
se çdo herë tjetër imazhin e Shqipërisë dhe jo vetëm të këtij sporti.

Daniel Godelli, kampion bote për herë të parë në historinë tonë, po shndërrohet në një gënjeshtër të madhe botërore.

Përmirësimet e Godellit nga Europiani i fundit ishin mahnitëse për këdo; një sportist që rikuperon rreth 20 kilogramë brenda 6 muajsh, në të njëjtën kategori gare, është vërtetë e rrallë. Por tashmë po na konfirmohet se vetëm me punë sportive është thuajse e pamundur.

Prej mëse gjashtë muajsh të gjithë anëtarët e skuadrës përfaqësuese, përjashto Erkand Qerimajn, janë stërvitur në Greqi, për të patur kushte dhe metoda më të mira, por njoftimi i Federatës Botërore që rrëzon çdo përpjekje, të paktën në bazë të analizës A.

Rregullorja e Federatës së Peshëngritjes parashikon se gjithçka vendoset pas rezultatit të analizës B, nderkohe  substanca e gjetur tek të tre sportistët është e njëjta “Stanozonol”. Kjo substancë përdoret, si tek kafshët edhe tek njerëzit, për rritje të masës muskulare. 

“Unë sapo kam komunikuar me Federatën Botërore të Peshëngritjes ata menjëherë na informuan dhe na kanë nxjerrë nëfaqen zyrtar. Pra, rasti Godeli është bërë të enjten prezent zyrtarisht. Përfundimi zyrtar do të jetë pas analizës B. Këtu nuk bëhet fjalë për emra, këtu bëhet fjalë për mënyrën se si funksionon kontrolli antidoping në Shqipëri, duke qenë se po bëhet një problem serioz në mënyrë të veçantë për disiplinimin e peshëngritjes. Nëse kapen të paktën 3 sportistë brenda një viti, përjashtohet tërësisht disiplina. Hapi e parë do të jetë dorëzimi i medaljeve dhe më pas vjen ndalimi i pjesëmarrjes në garat europiane dhe botërore”, thotë Stavri Bello, Sekretar i Përgjithshëm i KOKSH.

Gjithësesi, deri në pritje të analizave B, të gjithë mbeten në pritje të shpjegimeve për këtë ngjarje e cila është sërish historike për peshëngritjen tonë, ashtu si rezultatet, por për fat të keq për dëmtimin e imazhit të sportit tonë të elitës, si kurrë ndonjëherë.

Top Channel