Mustafa u bën thirrje deputetëve: Të shikojmë nga e ardhmja

11/12/2014 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar nga deputetët, por edhe kritikët e koalicionit PDK-LDK që të shikojnë përpara e mos të merren me të kaluarën.

Një ditë pasi kishte zgjedhur një gjuhë të ashpër për t’iu përgjigjur deputetëve të partisë së tij që votuan kundër qeverisë së koalicionit PDK-LDK, Mustafa ka ndryshuar kursin duke postuar një qëndrim të ri në Facebook.

“Punët e shtetit dhe interesat shtetërore kanë më shumë peshë sesa mospajtimet dhe rivalitetet e brendshme për çështje të caktuara. Dikush duhet të qeverisë me Kosovën dhe këta dikush janë LDK, PDK, VV, AAK, Nisma dhe partitë që përfaqësojnë popullatën joshumicë”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.

Lideri i LDK-së sërish u është përgjigjur deputetëve të partisë së tij të cilët e kanë votuar kundër me arsyetimet për akuzat e mëhershme për PDK-në edhe njerëz të caktuar të saj.

“Konsideroj se deputetët tanë nuk kanë ardhur në Kuvend që të hakmerren për të kaluarën. Kujtojmë ikonën e shtetësisë së Kosovës, Nekibe Kelmendin, të cilës bandat serbe ia masakruan dy djemtë dhe burrin dhe ajo për interesa të shtetit të Kosovës ishte në gjendje të ulej e të bisedonte me serbët këtu në Kuvend dhe në institucionet ndërkombëtare. Kjo është madhështia e njeriut që interesat e shtetit i vë para vuajtjeve dhe të së kaluarës”, ka thënë Mustafa.

Top Channel