F1, Alonso: Të përsërisim suksesin e binomit McLaren-Honda

11/12/2014 00:00

Fernando Alonso ka deklaruar se i bashkohet McLaren-Hondës “me entuziazëm dhe shumë motivim”, por shtoi se e ka të qartë që “do të duhet kohë që të arrihen rezultate të larta”.

Piloti spanjoll u prezantua paraditen e së enjtes si piloti i ri i skuderisë britanike që nga viti i ardhshëm do të ketë motor japonez.

Alonso shpjegoi se kur vendosi të largohej nga Ferrari dhe të kthehej te McLaren: “Gjatë vitit të fundit kam marrë disa oferta, disa prej tyre shumë tunduese nga rendimenti i ekipeve që më kërkonin, por McLaren ka më shumë se një vit që më ka kontaktuar duke më kërkuar t’i bashkohesha projektit të ri.”

Kthimi te fitoret dhe përsëritja e sukseseve të bashkëpunimit të mëparshëm McLaren-Honda, ky është objektivi: “Dëshira është e madhe për të përsëritur sukseset e arritura vite më parë. Unë dhe McLaren kemi objektiva dhe pritshmëri të njëjta. Kemi një të ardhme solide para nesh dhe kemi besim se gjërat do të shkojnë mirë.”

Top Channel