Nis shlyerja e borxheve ndaj HEC-eve

11/12/2014 00:00

Qeveria ka nisur shlyerjen e borxhit prej rreth 60 milionë dollarësh të akumuluar ndaj prodhuesve të vegjël të energjisë.

Përmes një njoftimi, Ministria e Energjisë thotë se gjatë këtyre ditëve janë likujduar rreth 11 milionë dollarë, ose 18 % e totalit të borxhit që KESH u ka heceve të vogla. Sipas Ministrisë, brenda janarit të vitit të ardhshëm pritet që KESH të mund të shlyejë borxhet e 6 mujorit të parë të vitit 2014 ndërsa brenda prillit do të likujdohen të gjitha borxhet e akumuluara nga viti 2014.

Sa u përket shlyerjes së faturave korente, Ministria thotë se do të nisin në janar të vitit 2015, falë edhe mirëmenaxhimit të koorporatave dhe rritjes së likuiditetit në sektor. Për këtë qëllim sipas Ministrisë do të ndikojë edhe vendimi për uljen e cmimit të HEC-eve me 30 %, vendim që sipas Qeverisë sjell këtë cmim në parametrat e tregut por që kundërshohet nga prodhuesit e vegjël sipas të cilëve ky çmim është më i ulët se i importit dhe rrezikon të cojë në faliment investimet e tyre. Shoqatat e HEC-eve thonë se si rezultat i mospagesës nga ana e shtetit, borxhi ndaj tyre thellohet çdo muaj me 5 milionë euro.

Top Channel