Rritet numri i bizneseve debitore, detyrimi shkon mbi 800 mln dollarë

11/12/2014 00:00

Rreth 10 për qind e bizneseve në Shqipëri janë në borxh tek Tatimet. Të
dhënat e fundit zyrtare tregojnë se numri i ndërmarrjeve që nuk kanë
shlyer taksat shënoi këtë vit rritjen më të fortë që nga 2009-a.

“Si administratë tatimore kemi një tendencë rritje, pasi pjesa e administrimit fiskal drejt menaxhimit dhe mbledhjes së detyrimeve të papaguara është forcuar jashtëzakonisht shumë. Po të vihet re në listë dhe po të shikohet më vemendje, mund të shikojmë edhe se si i njëjti subjekt përsëritet dy apo tre herë apo edhe më shumë për arsyen edhe të faktit, sepse ky tatimpagues për veprime të ndryshme, vetëdeklarime apo rivlerësime nga ana e administratës tatimore janë vendosur njoftime të ndryshme. Për çdo njoftim krijohet një kasus, i cili ndiqet pastaj sipas të gjitha procedurave që parashikon mbledhja e borxhit”, thotë Erjon Prifti, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Deri në tetor, Qeveria pagoi 260 milionë dollarë borxhe të prapambetura ndaj kompanive private, për të lehtësuar gjendjen e tyre financiare. Por, sërish numri i bizneseve që nuk kanë shlyer taksat ka vazhduar të rritet duke arritur në 11 350 ndërmarrje.Në bazë të ligjit, tatimet kanë bllokuar me barrë siguruese të gjitha pasuritë e tyre.

“Në këtë moment çdo biznes tjetër, i cili kryen marrëdhënie me këta tatim-pagues, duhet të ketë parasysh faktin që këta kanë barra siguruese të vendosura në të gjitha institucionet shtetërore, ku mund të kenë marrëdhënie këta tatim-pagues, sic janë hipotekat, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, Regjistri i Barrave Siguruese, pra nuk mund të kryejnë transpaksione me këta tatimpagues”, tha Prifti.

Edhe pas shpalljes në listën e debitorëve, ligji ende u lejon bizneseve në borxh me shtetin që të shlyejnë detyrimet dhe të rikthehen në treg. Madje me procedura lehtësuese.

“Ligji lejon që në të gjitha nga këto hapa, tatimpaguesi mund t’i drejtohet administratës tatimore për të bërë një marrëveshje të pagesës me këste, gjë e cila e ndihmon atë që të paguajë një pjesë të detyrimit, kuptohet duke u llogaritur interesat, por duke u dhënë një lloj frymëmarrje, në çlirimin dhe pagimin e detyrimeve dhe po themi, nëqoftëse po respektohet kjo marrëveshje, të gjitha këto masa fillojnë dhe bien dhe biznesi ka mundësi të marrë frymë”, sqaron Prifti.
 
Nëse pas të gjitha hallkave që parashikon ligji bizneset debitore ende nuk i paguajnë detyrimet, atëherë borxhi parashkruhet dhe ndaj tyre tatimet nisin procedurën e falimentit. Në total borxhi që bizneset kanë tek doganat dhe tatimet arrin në mbi 800 milionë dollarë, i akumuluar ndër vite. 

Top Channel