Koleksioni i makinave të rralla të ndryshkura nga harresa

11/12/2014 00:00

Një koleksion i mrekullueshëm makinash me vlerë më shumë se 15 milionë dollarë është gjetur në një fermë në Francë. 60 makina të vjetra, mes të cilave një Ferrari California Spider, një Bugatti dhe një Maserati shumë i rrallë, janë zbuluar të ndryshkura poshtë një mali me gazeta.

Makinat janë koleksionuar nga francezi Roger Baillon, i cili kishte vendosur t’i restauronte, por plani i tij u prish kur kompania e transporteve që zotëronte falimentoi në vitet ’70.

Kjo gjë e detyroi që makinat t’i parkonte nëpër bodrumet e pronës së tij. Pasi djali i tij vdiq vitin e kaluar, makinat i trashëguan nipërit, të cilët nuk kishin aspak dijeni për vlerën e koleksionit derisa thirrën dy specialistë makinash.

Njëri prej tyre, Matthieu Lamoure shprehet: “Ferrari është një legjendë në botën e automobilizmit dhe makina që kemi gjetur këtu, Ferrari California Spider, është unike. Vetëm 37 ekzemplarë të këtij modeli janë prodhuar.”

Top Channel