Guvernatori i ri, Rama te Nishani

11/12/2014 00:00

Më pak se një javë nga dekretimi i Genti Sejkos për postin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, procesi i zgjedhjes së tij ka hyrë në ngërç.

Megjithatë, palët duket se nuk i kanë rreshtur negociatat për të shkuar drejt një zgjidhjeje, e cila për momentin duket e vështirë.

Paraditen e së enjtes, për të gjashtën herë në dy muajt e fundit, kryeministri Edi Rama ka qenë në Presidencë për një takim me kreun e shtetit, Bujar Nishani.

Për më shumë se 40 minuta Rama ka biseduar me Nishanin për çështjen e guvernatorit, por as Presidenca dhe as zyra e shtypin në Kryeministri nuk kanë dhënë detaje për qëndrimet e kreut të shtetit dhe atij të ekszekutivit.

Në një situatë të tillë mbetet i paqartë pozicioni i kryeministrit Rama, i cili vijon t’i mbetet besnik idesë për një guvernator nga të huaj.

Aktualisht mazhoranca heziton të japë një qëndrim final për kandidaturën e bankierit Sejko, por i vetmi zhvillim që nga momenti i dekretimit të tij lidhet me propozimin e kryetarit të komisionit parlamentar të ekonomisë, Erjon Braçe, që komisioni i ligjeve të shqyrtojë ligjshmërinë e dekretit.

Në të njëjtën kohë, brenda kampit të PS nuk kanë munguar zërat kundër kandidaturës së Nishanit, së pari nga Pandeli Majko dhe Ervin Bushati, por edhe disa deputetë të tjerë.

LSI-ja, partneri qeverisës i Ramës, është treguar më e kujdesshme me deklaratat për këtë çështje, duke i mëshuar më tepër rëndësisë së procesit sesa emrave të përveçëm.

E ndërsa Rama ishte në takim me Nishanin, paralelisht pati një tjetër zhvillim në trekëndëshin Presidencë-Kryeministri-Kryesi e Kuvendit. Ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu e nisi paraditen e së enjtes me një takim me kryparlamentarin Ilir Meta.

Top Channel