Bien investimet e huaja në 9 muajt e parë, 117 milionë euro më pak

11/12/2014 00:00

Investimet e Huaja Direkte ranë me 16.5 përqind në 9 muajt e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat paraprake nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, deri në fund të shtatorit, kompanitë e huaja investuan në ekonominë shqiptare 590.6 milionë euro, ose 117 milionë euro më pak se periudha janar-shtator e vitit të kaluar.

Rënia e Investimeve të Huaja Direkte vjen në një kohë kur ekonomia e eurozonës, një nga partnerët kryesorë ekonomik të vendit prej nga vijnë dhe investimet më të mëdha nga jashtë, po kalon një situatë tjetër të vështirë ekonomike.

Italia, një nga investitorët më të mëdhenj në Shqipëri, është zyrtarisht në recesion për herën e tretë, ndërkohë që të dhënat e fundit mbi ecurinë e çmimeve kanë shtuar frikën se e gjithë eurozona mund të rrëshqasë sërish në krizë.

Përveç se një nga flukset më të mëdha që sigurojnë valutë për ekonominë kombëtare, Investimet e Huaja Direkte janë një faktor përcaktues në rritjen ekonomike dhe punësimin. Rënia për 9 muajt e parë të vitit, e kombinuar dhe me ecurinë e ngadaltë të eksporteve, duket se po materializojnë rreziqe të rritura nga ambienti i jashtëm.

Vetë ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar, gjatë misionit të fundit në Tiranë, pohuan se edhe pse nuk i kanë ndryshuar parashikimet për rritjen ekonomike të Shqipërisë, rreziqet nga ambienti i jashtëm për ekonominë janë rritur. Qeveria pret që rritja ekonomike të rikthehet këtë vit në 2 përqind, ndërsa vitin e ardhshëm të përshpejtohet më tej në 3.3 përqind.

Top Channel