Rusia rrit normën e interesit në 10,5% për të zbutur inflacionin

11/12/2014 00:00

Në përpjekje për të zbutur inflacionin, Banka Qendrore e Rusisë rriti normën bazë të interesit me një pikë përqindjeje, duke e çuar në 10.5%. Vetëm 6 javë më parë, me ndërhyrjen e radhës, ky institucion e çoi normën e interesit në 9,5%, nga 8% që ishte deri atëherë.

Në faqen zyrtare të Bankës në internet thuhet se rritja do të vazhdojë, në rast se rreziku i inflacionit do të shtohet. Inflacioni vjetor në vend llogaritet në 9,4%. Dobësimi i rublës dhe bllokada e bërë ushqimeve të importuara nga Perëndimi, citohen si faktorët kryesorë kontribues në këtë situatë.

Sipas BBC-së, shpresat janë që rritja e normës së interesit do të ulë konsumin e do të ndalojë ngritjen e çmimeve me ritme kaq të larta sa aktualisht. Por, ka dhe një anë tjetër të medaljes: një lëvizje e tillë ngadalëson rritjen ekonomike, çka nuk është aspak pozitive për Rusinë e ndodhur në prag recesioni.

Sa për rublën, ajo vazhdon rënien, e ka prekur një tjetër nivel të ulët rekord kundrejt dollarit amerikan. Vendimi i Bankës Qendrore e nxiti edhe më shumë zhvlerësimin e monedhës ruse, e cila pak pas njoftimit u shkëmbye në tregjet valutore vendase me 55.45 kundrejt dollarit dhe 68.98 kundrejt euros.

Rubla ka humbur këtë vit përballë këtyre dy monedhave, 30 deri 40 përqind të vlerës, në një kohë kur shitja e saj në fund të tetorit dhe në fillim të nëntorit pati marrë tipare paniku. Ndikim të madh pati rënia e çmimit të naftës, por problemet e tjera janë të shkaktuara vetë.

Ekspertët mendojnë se shkaqet fundamentale konsistojnë në faktin që, në 10 vitet e fundit, praktikisht në vend nuk janë kryer reforma dhe rezultati i një politike të tillë po shihet pikërisht tani.

Top Channel