Energjia, investime edhe pas kinezëve. Bojaxhi e Harasani rrëzojnë Bejtën

11/12/2014 00:00

Deklarata e zëvendësministrit të Energjisë dhe Industrisë se asetet e
sistemit energjetik kanë mbetur aty ku e kanë lënë kinezët 30 e ca vite
më pare, ka shkaktuar reagimin e ish-drejtuesve të KESH-it, Andis
Harasani dhe Gjergj Bojaxhi.

Por a ka mbetur sistemi energjetik, aty ku e kanë lënë kinezët? Dy nga njerëzit qe e kanë menaxhuar atë në dhjetë vitet e fundit kanë një tjetër version.

“Midis vitit 2002-2009 në sektorin e shpërndarjes janë bërë mbi 250 milionë euro investime, ndërsa në të gjithë sektorin e energjisë elektrike, mund të thoja që gjatë kësaj periudhe, 2002-2009 janë bërë rreth 700-800 milionë dollarë investime në total”, thotë ish-drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi.

Andis Harasani, thotë se vetëm gjatë kohës që drejtohej nga ai, sektori energjetik ka marrë mbi 120 milionë euro investime, të financuara edhe me vetë burimet e sistemit.

“Në atë kohë KESH-i ka qenë një ndërmarrje me fitim, në vitin 2005, kur ne i kemi dorëzuar Korporatës ka qenë mbi 120 milionë euro fitim, kanë qenë investime të Korporatës, të Qeverisë,të Bankës Botërore, BERZh dhe Bankës Europiane për Investim”, kujton Harasani.

Gjergj Bojaxhi thotë se ky qëndrim publik i Ministrisë së Energjisë, nuk i shërben rimëkëmbjes së sektorit, e madje mund të shndërrohet në një justifikim paraprak të vendimeve të gabuara.

“Deklarata të tilla nuk mendoj që as janë të mira për të informuar qytetarët shqiptarë për problematikën që ka sektori dhe nuk duhen përdorur si justifikime, qoftë edhe për të bërë investime në të ardhmen të gabuara, apo për të justifikuar dobësinë që ka sot kompania e shpërndarjes dhe rezultatet që ka”, thotë Bojaxhi.

Ndërsa Andis Harasani ka një vlerësim edhe më të drejtpërdrejtë për këtë deklaratë publike të zëvendësministrit Bejtja.

“Deklarata është plotësisht e gabuar dhe emocionale”, thotë Harasani.

Qeveria ka marrë një kredi prej 150 milionë dollarësh nga Banka Botërore, para të cilat do të përdoren për investime në sektorin energjetik, kryesisht në shpërndarje për të nxjerrë sektorin nga kriza e thellë financiare ku ndodhet.

Top Channel