Kosovë, Kuvendi mblidhet javën e ardhshme. Opozita: Hetim SHIK-ut

11/12/2014 00:00

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ku kanë marrë pjesë edhe krerët e grupeve parlamentare, ka vendosur që javën e ardhshme Kuvendi të mbajë dy seanca plenare.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se në këtë mbledhje është bërë edhe ndarja e komisioneve parlamentare dhe me këtë rast, ai tha se Kuvendi tani është gati për të vijuar me punën.

“Siç e dini, ne kemi pasur vonesa për gjashtë muaj. Kështu që të hënën në ora dhjetë do të kemi një seancë plenare. Po ashtu edhe të enjten, me kërkesë të presidentes së Republikës do të kemi një seancë tjetër, ku presidentja do të adresojë fjalimin e saj vjetor”, tha Veseli.

Nga 14 komisione parlamentare, 10 i kryesojnë partnerët e koalicionit PDK-LDK dhe minoritetet, ndërsa katër të tjera partitë opozitare.

Grupet parlamentare duhet që deri të shtunën në mesditë të dërgojnë në Kuvend propozimet e tyre për kryetar të komisioneve dhe për shpërndarjen e deputetëve në komisionet që ata preferojnë.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se ndarja e komisioneve është bërë duke ndjekur edhe praktikat e legjislaturave të kaluara, mirëpo përfaqësuesit e partive opozitare u shprehën të pakënaqur me këtë ndarje.

Por pavarësisht numrit të vogël në udhëheqjen e komisioneve, opozita premtoi se do të vazhdojë iniciativën e saj për të krijuar një komision hetimor në Kuvend për të hetuar veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Kosovës.

“Lëvizja Vetëvendosje do ta vazhdojë nismën e saj që nga legjislatura e kaluar për një komision hetimor ndaj Shërbimit Informativ të Kosovës, punës, veprimtarisë, financave, bazës ligjore e kështu me radhë”, deklaroi Visar Ymeri nga Vetëvendosje.

“Ne do të vazhdojmë me kërkesën e bërë edhe në vitin 2011 dhe presim që bashkarisht opozita të bëjë punë në këtë drejtim dhe sigurisht që të kemi edhe përkrahjen individuale edhe të të gjithë atyre që mendojnë ndryshe brenda Kuvendit”, tha nga ana tjetër Donika Kadaj-Bujupi, deputete e AAK.

Për këtë çështje, deputeti i Vetëvendosjes, Ymeri tha se do të kërkojnë mbështetjen e nevojshme edhe nga deputetë të LDK-së.

Top Channel