Ukrainë, prorusët nisin tërheqjen e artilerisë, huadhënësit premtojnë ndihmë

11/12/2014 00:00

Agjencia ruse e lajmeve “Interfax” njoftoi të enjten se separatistët prorusë kanë nisur tërheqjen e artilerive nga pozicionet në pjesën jugore të rajonit separatist të Donjeckut, në lindje të Ukrainës, teksa kanë cituar deklaratën e një udhëheqësi separatist.

“Militia ka nisur tërheqjen e njësive të artilerisë së rëndë, konkretisht të kalibrit më të madh se 100 milimetra në jug të Republikës Popullore”, është shprehur Denis Pushilin, zëvendëskryetar i “Këshillit Popullor” të separatistëve, i cili luan rolin e një trupe udhëheqëse.

Ndërkohë, për Ukrainën vjen edhe një tjetër lajm pozitiv, teksa huadhënësit ndërkombëtarë kanë deklaruar se do të ndihmojnë vendin e prekur nga luftimet për të rikthyer në normalitet ekonominë e saj, me kusht që qeveria të implementojë reformat dhe të luftojë korrupsionin, tha një zyrtar i lartë i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, këtë të enjte.

“Mendoj se ekziston një konsensus mes të gjitha palëve të huadhënësve ndërkombëtarë, se ata do të ulen në tryezë për të ofruar ndihmën e tyre, me kushtin që qeveria ukrainase të ndërmarrë një kurs veprimi të menjëhershëm”, tha Sevki Acuner, kreu i BERZH për Ukrainën.

Ai foli përpara se kryeministri ukrainas, Arseny Yatseniuk, të paralajmëronte sërish gjatë ditës së sotme se Kievi rrezikon falimentin për shkak të borxheve, për sa kohë që huadhënësit perëndimorë nuk do të ndërhyjnë me fondet e tyre ndihmëse.

Acuner tha se nëse Kievi provon me fakte se po implementon ndryshimet e kërkuara, BERZH mund të ofrojë gjatë vitit të ardhshëm më shumë se 1 miliard euro hua dhe projektet e financimit të miratuara gjatë 2014-s. Por, BERZH-i mund edhe t’i reduktojë këto shifra, nëse gjërat mbeten në vendnumëro.

“Nëse reformat nuk do të implementohen, atëherë ne thjesht nuk do të mund të përfundojmë projektet mbi të cilat po punojmë”, tha ai. “Dhe në këtë mes nuk jemi vetëm ne, por edhe investitorë të huaj të gjithanshëm, si dhe vende të tjera që kërkojnë të shohin shenja veprimi”.

Parlamenti ukrainas miratoi të enjten një paketë reformash, përfshi këtu atë të kontrollit të sistemit tatimor, duke rritur tarifat e energjisë, privatizimin e firmave shtetërore dhe uljen e përfitimeve sociale.

Qeveria po ecën përmes shkurtimeve drastike në buxhet, në përpjekje për të siguruar këstin e radhës prej 17 miliardë dollarësh nga huadhënja e FMN-së, prej të cilave vetëm 4,6 miliardë janë paguar deri më tani. Por, huadhënësit perëndimorë janë të shqetësuar se masat e premtuara për luftimin e korrupsionit në fusha si prokurimet qeveritare nuk janë materializuar ende.

Tregjet financiare janë duke u shqetësuar vazhdimisht, sepse Ukraina do të duhet të ristrukturojë borxhin e saj pa ndonjë ndihmë shtesë prej Perëndimit. Yatseniuk citoi një raport të “Financial Times”, se Kievi ka nevojë për një shumë shtesë prej 15 miliardë dollarë.

Top Channel