Indi, Modi pret Putinin: Rusia, partneri ynë më i madh në fushën e mbrojtjes

11/12/2014 00:00

Kryeministri indian, Narendra Modi, ka mirëpritur për një vizitë zyrtare njëditore Presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë së enjtes, teksa dy liderët kanë hyrë menjëherë në bisedime për nxitjen e bashkëpunimit bërthamor dhe në fushën e mbrojtjes, në një takim që synon të rigjallërojë një miqësi të vjetër, por të venitur përgjatë viteve të fundit.

Modi i ka thënë Putinit se Rusia do të mbetet furnizuesi kryesor i Indisë me mjete mbrojtëse, edhe pse opsionet e tjera të Nju Delhit janë përmirësuar ndjeshëm, që prej fundit të Luftës së Ftohtë. Marrëdhënia miqësore mes indianëve dhe rusëve arriti kulmin gjatë periudhës sovjetike, ndërsa sot janë nënshkruar disa marrëveshje miliarda dollarëshe mbi energjinë bërthamore, naftën dhe ato me natyrë mbrojtëse.

Marrëveshjet më të mëdha janë cilësuar: Kompania shtetërore “Rosatom” do të ndërtojë 12 reaktorë bërthamorë në Indi; ajo lidere e naftës në Rusi “Rosneft” nënshkroi një marrëveshje 10-vjeçare furnizimi me naftë të papërpunuar me “Essar Oil”; ndërkohë që India pranoi të blejë 400 helikopterë rusë multifunksionalë në vit nga Rusia.

Marrëveshja për helikopterët “Ka-226T” me dy motorë është tepër e rëndësishme për Modin, i cili kërkon të përmirësojë ushtrinë indiane, e cila mbështetet ende në mjete të vjetëruara sovjetike, si dhe për të krijuar kapacitetet e nevojshme për prodhimin e mjeteve të mbrojtjes në Indi.

“Edhe pse opsionet e Indisë janë shtuar, Rusia mbetet partneri ynë më i rëndësishëm i mbrojtjes”, tha 64-vjeçari Modi, në takimin e parë formal mes udhëheqësish, që kur ai fitoi zgjedhjet në maj.

Vizita e Putinit në Indi vjen në një moment kur Kremlini është përballur me rënie të theksuar të çmimit të naftës dhe me një ekonomi që po kërcënohet nga sanksionet e Perëndimit për shkak të aneksimit të Krimesë gjatë pranverës së këtij viti, por edhe për mbështetjen që u jep separatistëve prorusë në lindje të Ukrainës.

“Ne e vlerësojmë maksimalisht miqësinë tonë, besimin dhe mirëkuptimin e përbashkët me partnerët indianë”, tha Putin, i cili preku kryesisht çështjet bilaterale në deklaratat e tij përpara reporterëve, pyetjet e të cilëve nuk lejoheshin në konferencën e përbashkët.

Top Channel