Programi i USAID, Kosova 100 milionë USD nga bujqësia

11/12/2014 00:00

Është përmbyllur në Kosovë programi i USAID, “Mundësitë e reja për biznes”, në mbështetje të sektorit të bujqësisë. Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Jacobson foli për disa nga arritjet e këtij projekti.

“Është e mrekullueshme të shohësh Kosovën të eksportojë qumësht dhe mollë në Evropë e rajon, duke bërë emër për vendin në fushën e bujqësisë. Këtë nuk do ta kishim arritur pa bashkëpunimin e pandërprerë të qeverisë së Kosovës. Falenderoj ministrin në ikje të Bujqësisë, Blerim Stavileci, për këtë bashkëpunim dhe punën e bërë. Ne mezi presim të bashkëpunojmë në detyrën e tij të re”, deklaroi Jacobson.

Ambasadorja shtoi se projekti ka pasur po ashtu edhe një fokus të veçantë tek gratë fermere. Ndërsa Jim Hope, drejtor i misioni të USAID-it në Kosovë, tha se ky program ka gjeneruar rreth 6 mijë vende pune, si dhe ka siguruar 23 milionë dollarë eksport në rajon.

“Do të doja që vërtet ta falenderoja ministrin dhe stafin e tij për përkrahjen e vazhdueshme dhe drejtimin që i kanë dhënë punës për të ndihmuar këtë program kaq pozitiv në sektorin bujqësor të Kosovës. Siç e tha dhe ambasadorja, rezultatet sollën më shumë se 100 milionë dollarë, 80 milionë në të ardhura të brendshme dhe gati 23 milionë për eksport në rajon. Dhe, ndoshta më e rëndësishmja, krijimin e më shumë se 6 mijë vendeve të reja të punës me orar të plotë, gjë që është absolutisht themelore”, tha Hope.

Programi i USAID, “Mundësitë e reja në biznes”, kishte filluar në muajin shkurt të vitit 2011.

Top Channel