PD drejt fundit të bojkotit, Basha: Topi në fushën e mazhorancës

11/12/2014 00:00

Takimet e fundit të aleatëve në opozitë tregojnë se gjithçka po shkon drejt rikthimit në Parlament. Ata janë të kujdesshëm për të mos dhënë detaje, por kryetari i opozitës Lulzim Basha nuk e fsheh kënaqësinë, qe po ia del të fokusojë europianët tek çështja e dekriminalizimit të Parlamentit.

“Jemi ne që për më shumë se katër muaj e gjysmë kemi kërkuar me zë të lartë dhe pa rreshtur dekriminalizimin e Parlamentit, respektimin e Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, rikthimin e instrumentave të mbikëqyrjes parlamentare dhe garancitë e faktorit ndërkombëtar, konkretisht të institucioneve europiane për këtë proces. Sot jemi më afër se kurrë arritjes së këtyre parimeve, të këtyre standardeve”, deklaroi Basha të premten.

Dy aleatët e vetëm në opozitë, Fatmir Mediu dhe Dashamir Shehi janë në pritje të negociatave përfundimtare mes palëve në Tiranë dhe në Bruksel.

“Ajo që kërkojmë është zgjidhja e kësaj çështjeje. Kjo nuk është çështje mandatesh, por është çështje parlamentarizmi. Nuk është as çështje date, por është çështje e një zgjidhjeje institucionale dhe detyrimi për të gjitha palët që të kuptojnë se ku e kanë vendin e tyre në politikë”, ka deklaruar Mediu.

“Java që vjen është një javë intensive negociatash, të cilat ia kemi deleguar si kryetar i opozitës zotit Basha dhe shpresojmë që zgjidhja të jetë pozitive për të rikrijuar klimën e duhur, marrëveshjet e nevojshme garantuese, që opozita të jetë në Parlament”, ka thënë Shehi nga ana tjetër.

Nëse gjithçka shkon mirë, pas pak ditësh pritet një deklaratë e përbashkët nga përfaqësuesit e Parlamentit Europian, të cilët do të marrin përsipër monitorimin e plotësimit të kërkesave të opozitës, ku më e rëndësishmja është ajo e dekriminalizimit të Parlamentit.

Një kërkesë që pritet të kthehet në ligj dhe që sipas opozitës do të shënohet progres, nëse qeveria shfaq vullnet për ta nisur luftën kundër krimit brenda radhëve të saj.

“Nuk jemi ne dhe nuk kemi qenë ne për asnjë çast pengesa. Pengesa kanë qenë ata që fillimisht thoshin se ‘nuk e dimë se çfarë kërkon opozita’ e pastaj thoshin ‘ia kemi plotësuar kërkesat opozitës’. Por shpresoj që sot, të përballur me solidaritetin midis së majtës dhe së djathtës europiane për të ndalur praktikat e keqqeverisjes parlamentare dhe asgjesimit të mbikëqyrjes parlamentare përmes shkeljes së Kushtetutës dhe angazhimit të muskulit kriminal në Parlament, ata do të reflektojnë. Shpresoj të reflektojnë, u bëj thirrje të reflektojnë. Topi është qartësisht në fushën e tyre”, tha Basha.

Gjuajta me top pritet të ndodhë përpara seancës së të enjtes së ardhshme, kur në seancë do të jetë e ftuar presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. A do të jetë kjo dita?

“E theksoj se do të jetë një qëndrim politik dhe nuk besoj se prisni qëndrim nga unë sot, pa arritur një qëndrim të përbashkët”, tha Fatmir Mediu.

“Unë mendoj që më datë 18. Me shpresë te Zoti edhe pjesa tjetër do të jetë”, tha më tej Dashamir Shehi.

Top Channel