Me projekt/ligjet për nëpunësit administrativë dhe për të punësuarit në sektorin publik që është planifikuar të hyjnë në fuqi në vitin 2015, qeveria rrezikon arritjen e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në administratë.

Kështu u shpreh deputeti i PDSH-së opozitare, Bekim Fazliu, duke kundërshtuar këto projekt/ligje që sipas tij, mes të tjerash përjashtojnë mundësinë e përdorimit të gjuhës shqipe në administratë, politizojnë tërësisht institucionet dhe e shndërrojnë administratën në njëetnike.

“Ashtu si çdo ligj tjetër që ka kaluar në këtë Kuvend, gjithmonë me miratimin e BDI-së, ligji për nëpunësit administrativë dhe ai për të punësuarit në sektorin publik vulosin diskrimin dhe mohimin e të drejtave elementare të shqiptarëve në këtë shtet. Me këto ndryshime ligjore shqiptarët përfundimisht duhet t’i thonë lamtumirë administratës. Aty do të mbeten vetëm disa si dekor dhe shteti më në fund do të flasë vetëm maqedonisht”, deklaroi Fazliu.

Vërejtje kanë shprehur edhe deputetët shqiptarë të BDI-së që janë pjesë e mazhorancës. Muaj më parë ata kishin mbështetur miratimin e ligjeve për të punësuarit në administratë dhe në sektorin publik, por tani kundërshtojnë në disa pika propozimin e qeverisë për plotësimin e këtyre dy ligjeve.

“Ky propozim duhet të pësojë ndryshime thelbësore. Nëse nisemi prej logjikës se me çfarë ballafaqohet administrata shtetërore tek ne, do të shohim se kemi të punësuar pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme, edhe shqiptarë, edhe të tjerë. Atëherë pse askund në ligj nuk thuhet se të punësuarit duhet të flasin edhe gjuhën e bashkëqytetarëve të tyre”, u shpreh Rafis Aliti nga BDI.

Ndërkohë, deputetët shqiptarë të opozitës kanë kërkuar që qeveria t’i tërheqë nga proçedura këto projekt/ligje dhe të sigurohet konsensus i gjerë për miratimin e ligjeve të tjera për reformimin e administratës dhe çetnizimin e saj.

Top Channel