Polonia: Aktivitet i “paprecedent” i ushtrisë ruse në rajonin e Baltikut

11/12/2014 00:00

Polonia ka bërë të ditur se niveli i aktiviteteve detare dhe ajrore të forcave ruse në rajonin e detit Baltik kanë qenë të “paprecedenta” gjatë kësaj jave.

Ministri i Mbrojtjes, Tomasz Siemoniak, tha se shumica e aktiviteteve kanë qenë në ujëra ndërkombëtarë dhe në hapësirën ajrore ndërkombëtare, por Suedia ka qenë vendi i prekur më së shumti prej tyre.

Partnerët në NATO të shteteve baltike, përfshi këtu edhe Britaninë e Madhe, kanë ngritur në fluturim avionë luftarakë me misione patrullimi mbi këtë rajon, veçanërisht për të monitoruar avionët rusë.

Luftimet në Ukrainë shihen si shkaktarë të rritjes së tensioneve. Ministri polak Siemonak tha se Rusia “nuk është duke përgatitur një sulm”, por vetëm sa po vë në provë mbrojtjen e NATO-s, gjë që “nuk shërben aspak për ndërtimin e marrëdhënieve të mira dhe besimit”.

Tri shtete të vogla baltike, ish-pjesë të Bashkimit Sovjetik, si Estonia, Letonia dhe Lituania, iu bashkuan NATO-s në vitin 2004.

Duke folur për një kanal televiziv polak, ministri tha se nuk është e nevojshme të rritet niveli i gatishmërisë së ushtrisë polake.

NATO dhe Kievi akuzojnë Rusinë se kanë ushqyer konfliktin në lindje të Ukrainës, si dhe ka furnizuar rebelët prorusë me trupa dhe armë të rënda. Por, Moska i mohon këto akuza, duke u justifikuar se janë “vullnetarë” rusë, ata që po ndihmojnë rebelët.

Gjatë kësaj jave janë raportuar disa incidente në rajonin në fjalë:

– Të martën, ushtria norvegjeze tha se një prej avionëve luftarakë të saj për pak nuk “humbi”, për shkak të rrezikut të përplasjes me një avion rus në veri të Norvegjisë.

– Forcat Ajrore finlandeze kanë thënë se ka pasur aktivitet “intensiv dhe të pazakontë” rus mbi detin Baltik dhe në gjirin e Finlandës, teksa shumica e fluturimeve përfshijnë bombardues, avionë luftarakë dhe transporti, të cilat fluturonin nga toka ruse drejt enklavës së Kaliningradit, mes Lituanisë dhe Polonisë.

– NATO njoftoi se të hënën, avionët e aleancës kapën vazhdimisht avionë rusë në rajonin e Baltikut, si dhe raportuan më shumë se 30 tipe të avionëve të ushtrisë ruse në zonën në fjalë.

Kulmi i këtij aktiviteti vjen pas një studimi të “think-tank”-ut me seli në Londër, “European Leadership Netëork” (Rrjeti i Udhëheqjes Europiane), që ka detajuar 40 incidente gjatë muajve të fundit, përfshi 11 të cilat sipas tyre janë konsideruar si “më agresive, apo të natyrës provokative të pazakontë, duke sjellë nivel rrezikshmërie të lartë përkeqësimi”.

Në njërin prej rasteve, një avion civil i kompanisë “SAS”, që ishte nisur nga Kopenhageni, për pak sa nuk u përplas me një avion zbulues rus. Në një tjetër rast, Suedia zhvilloi kërkime masive në tetor, për shkak të dyshimeve mbi një nëndetëse ruse në ujërat pranë kryeqytetit, Stokholm, por pas një jave kërkimesh asgjë nuk u gjet.

Top Channel