Kur uniforma vishet nga një grua

11/12/2014 00:00

Pas luftës, në Kosovë është shtuar numri i grave në institucionet më të rëndësishme në vend. Autoriteti i tyre vihet në pah edhe më shumë, kur këto gra shërbejnë të veshura me uniformë.

Fatlume Mustafa, oficere në Policinë e Kosovës, është njëra ndër këto gra, që sfidon çdo ditë veten duke shërbyer në njesitin reagues, atje ku punonjësit e policisë janë të parët në kontakt me rastet që raportohen.

“Uniformën e Policisë e bart prej 3 vitesh, nga shkurti 2012. Qysh kur isha e vogël kam pasur dëshirë për të veshur uniformën e Policisë. Për mua uniforma është diçka e shenjtë, që gjithmonë e kam menduar si të tillë. Punoj në njesinë reaguese të Policisë së Kosovës. Jam policja e parë, e cila i përgjigjet veprave penale, dal në vendin e ngjarjes, jemi në kontakt të parë qoftë me viktima, me dëshmitarë, apo dhe me arrestime të të dyshuarve”, tha Fatlume Mustafa nga Njesiti Reagues, Policia e Kosovës.

Një punë e tillë, pavarësisht rreziqeve të paparashikuara, padyshim që ka edhe kënaqësitë e veta.

“Në atë moment, kur ne i ofrojmë ndihmë viktimave, i bëjmë ata që të ndihen mirë, qoftë edhe me ndihmë morale. Ajo është diçka që më bën të ndihem më madhështore, më e sigurt, të jep vullnet më shumë për të vazhduar punën si police”, tha më tej Fatlume Mustafa.

Mustafa pohon se femrat me uniformë respektohen shumë në Kosovë.

“Krahasuar me shtetet që rrethojnë Kosovën, besoj se Kosova është vendi ku respektohet më së shumti uniforma, sidomos kur e bart gjinia femërore. Ka shumë raste kur bisedojmë me qytetarët, i ndalojmë ata, gjithmonë na përshëndesin dhe thonë ‘sa mirë është kur të ndalon një police femër’…”, shprehet Fatlume Mustafa.

Bartja e uniformës është sfidë edhe për udhëheqësen e sektorit të Rishqyrtimit të Ankesave, në Doganën e Kosovës, Gyltene Syla.

“Uniforma më ka pëlqyer që nga fëmijëria dhe besoj natyrisht që është sfidë, mirëpo edhe fakti që i shërben Kosovës – në këtë rast i shërben edhe institucioneve të Kosovës – është shumë e vlefshme dhe shumë e rëndësishme”, tha Gyltene Syla, udhëheqëse e sektorit të Rishqyrtimit të Ankesave, Dogana e Kosovës.

Gyltene Syla ka shërbyer për 11 vite si hetuese e brendshme në Doganën e Kosovës, e një pozicion i tillë nuk ka qenë i lehtë për një femër.

“Që nga fillimi i punës në Doganë ka qenë shumë sfiduese fakti që ka qenë një pozitë shumë e ndjeshme, duke pasur parasysh që fillimisht jam marrë me hetimin e rasteve disiplinore dhe penale. Ka pasur raste kur më është dashur që kolegët t’i raportoj në polici, për shkelje të cilat janë kryer brenda Doganës së Kosovës, po ashtu edhe të përgatisim kallëzime penale e t’i raportojmë ato në Prokurorinë e Kosovës”, tha më tej Gyltene Syla.

Gyltene Syla vlerëson dhe shpreson se numri i grave që do të shihen me uniforma do të shtohet, pasi ka ende nevojë për prezencën e gruas në pozita menaxhuese dhe vendimmarrëse në institucionet shtetërore të Kosovës.

Top Channel