Rama: Bojkoti dëmton vendin. Opozita të jetë e qartë çfarë kërkon

11/12/2014 00:00

Në pritjen e tradicionale të fundvitit të organizuar për ambasadorët dhe diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë, Kryeministri Edi Rama tha se mazhoranca është e gatshme të plotësojë kërkesat e opozitës për të hequr dorë nga bojkoti, por vetë opozita, tha ai, duhet të jetë e qartë se çfarë kërkon.

“Pavarësisht se cfarë mendojmë ne, shumica, fakti që opozita nuk është në parlament nuk dëmton vetëm opozitën, por pengon vendin dhe cënon besueshmërinë e tij në sytë e të tjerëve. Nuk e di se çfarë mund të bëjmë më shumë për t’i kthyer në vendin e punës, por di që jemi gati të bëjmë çdo gjë nëse do të na thonë çfarë”, deklaroi Rama.

Fjala e Kryeministrit nisi me një bilanc të këtij vit, ku vlerësoi statusin e vendit kandidat, ngritjen në rënditjen e të bërit biznes me 40 vende dhe reformat e nisura për ndërtimin e asaj që ai e quajti shtet modern.

“Nuk dua ta fsheh përpara jush sot krenarinë për cfarë kemi mundur të për një vit dhe për sa kantierë reformash të vonuara ndër vite kemi hapur vetëm gjatë këtij viti. Jam krenar që morëm statusin e vendit kandidat, pasi bëmë për 9 muaj atë që s’u bë prej vitesh e që dukej se nuk do bëhej kurrë, si zhdukja nga faqja e dheut tonë, e Kolumbisë europiane Lazarat. Pa i çuar rrathët e reformave nën këmbët e sistemit të drejtësisë, nuk kemi garantuar themelet e ngrehinës së shtetit modern që kemi nisur të ndërtojmë”, tha Rama.

Shefi i mazhorancës u zotua se vendi ynë do të vazhdojë të investohet në marrëdhëniet e mira me fqinjët dhe në integrimin europian. Ai u ndal tek samiti i Berlinit dhe mundësitë që ai përcjell për zhvillimin ekonomik të rajonit dhe edhe njëherë tjetër deklaroi se do të vazhdohet në rrugën e vështirë për të ndërtuar me Serbinë një partneritet real.

“Serbia nuk është më armiku ynë, por fqinji që duhet kthyer në partner real për të ndërtuar të ardhmen europiane të Ballkanit. Dhe për këtë një shembull na vjen nga historia mes Gjermanisë dhe Francës. Është një mision i vështirë, por unë besoj se do t’ia dalim edhe sepse nuk jemi vetëm, por kemi mbështetjen e Gjermanisë dhe kancelares Merkel personalisht”, deklaroi ndër të tjera Kryeministri.

Top Channel