Mel Ostreni: “Testi B” antidoping nuk ka rrëzuar kurrë provën e parë

11/12/2014 00:00

Skandali i dopingut të peshëngritjes shqiptare, në pjesën më të madhe të rasteve – për të mos thënë gjithmonë – mban emrin e Stanazololit, një substancë e përdorur gjerësisht për shërbime terapeutike, te kafshët dhe te njerëzit.

E përdorur prej mëse 30 vitesh në sportet individualiste, ndërkohë mjeku sportiv dhe agjenti i dopingut i WADA-s në Shqipëri, Mel Ostreni, tregon diçka më shumë se çfarë është kjo substancë dhe si ndikon te sportisti.

“Stanazololi është një hormon sintetik mashkullor, të cilin nuk e prodhon trupi i njeriut, por industria farmaceutike për qëllime terapeutike. Është një hormon sintetik mashkullor i ngjashëm me testosteronin, por shumë më i fuqishëm dhe me më pak efekte anësore. Praktikisht përdoret në shëndetësi në shumë fusha, aty ku e kërkon nevoja e pacientit, por jo në sport. Ky hormon bën fryrjen e fibrave muskulare, por edhe i than ato, i shndërron nga të kuqe në të bardha. Fibrat e bardha, për dijeninë e lexuesve, janë fibrat e shpejtësisë së madhe, të shpërthimit, kështu që edhe sporti i peshëngritjes futet në këto sporte të quajtura shpërthyes, që nuk zgjasin shumë në kohë, por janë momentale”, u shpreh Mel Ostreni, mjek sportiv.

Përpara aktiviteteve të rëndësishme si Europiani apo Botërori, Agjencia e Dopingut në Shqipëri është e detyruar të kryejë analiza me nismën e saj, por kjo gjë nuk ka ndodhur për shkak mosmarrëveshjesh dhe mungesë fondesh, duke qenë se një analizë kushton rreth 500 euro.

Gjithsesi, mjeku Ostreni ka marrë analizat e Godellit për herë të fundit, përpara largimit për në Greqi.

“Unë u kam marrë këtyre sportistëve këtë analizë në fillim të vitit 2014, kur neve na erdhi një urdhër i WADA-s për t’i kontrolluar ata. Nga qershori i 2014-s, rezulton të kemi marrë kontrollet e peshëngritësve, por edhe sportistëve të sporteve të tjera individuale, sepse WADA ka për detyrë të kontrollojë sportet individuale. Përgjigjja e tyre ka qenë negative”, shprehet më tej Mel Ostreni.

Si në rastin e Romela Begajt, ashtu edhe atë të Daniel Godellit, por përgjithësisht në raste të tilla, rrallë sportistët shqiptarë e pranojnë, duke u fshehur e u justifikuar me ‘provën B’ të analizave, por çfarë do të thotë kjo analizë dhe a ka mundur ndonjëherë në histori që ‘analiza B’ të rrëzojë ‘analizën A’?

“Në përgjithësi, me aq sa di unë, nuk e ka rrëzuar asnjëherë, sepse është i njëjti kampion urine që ndahet në dy pjesë. Sa për sqarim ndaj publikut, nëse prova A bëhet nga pikëpamja cilësore, domethënë ka apo s’ka substanca të ndaluara, në provën B bëhet kontrolli edhe nga ana sasiore, duke nxjerrë disa të vërteta si: sa është doza e marrë, për sa kohë është marrë dhe sa kohë ka zgjatur marrja e saj”, përfundoi deklaratën mjeku Ostreni.

Top Channel