Zvicër, ndalen testimet e vaksinës së Ebolas

11/12/2014 00:00

Prova klinike e një vaksine kundër Ebolas në Zvicër është ndërprerë, pasi disa pacientë u ankuan për dhimbje si në gjymtyrët e sipërme, ashtu dhe në ato të poshtme.

Testimi është ndalur një javë më herët nga sa ishte parashikuar në të 59 vullnetarët e ofruar për ta provuar si “masë paraprake”, bëri të ditur Spitali Universitar i Gjenevës.

Vaksina, e cila po testohej, është zhvilluar nga kompania “NewLink”, ndërsa është blerë së fundi nga “Merck”. Aktualisht, ende nuk ka ndonjë vaksinë të licencuar për përdorim në luftën për t’u mbrojtur nga Ebola.

Dy vaksina janë duke u testuar aktualisht në qenie njerëzore, në disa vende. Efektet anësore të shfaqura në testimin në Gjenevë u provuan nga 4 vullnetarë.

Spitali tha se testimet e sigurta te njerëzit do të rifillojnë më 5 janar, me 15 vullnetarë të tjerë, pas kontrolleve që nisën për të hetuar nëse simptomat e dhimbjeve në të gjithë gjymtyrët ishin “jo negative dhe të përkohshme”.

“Ata janë të gjithë shumë mirë dhe po monitorohen vazhdimisht nga ekipi mjekësor që udhëheq këtë studim”, tha spitali. 4 prova të tjera të një tjetër vaksine kundër Ebolas, të zhvilluar nga “GlaxoSmithKline”, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Sëmundjeve Infektive dhe Alergjike, në Shtetet e Bashkuara, janë duke u kryer.

Top Channel