PD feston 24-vjetorin e krijimit. Basha: Liria, vlera jonë e pashterrshme

11/12/2014 00:00

“24 vjet më parë, ne shqiptarët, bashkë me PD nisëm procesin e pakthyeshëm të Shqipërisë së lirë dhe evropiane. Sot kujtojmë me krenari se jemi pjesë e kësaj trashëgimie, se i kemi rrënjët tona në mobilizimin më të madh të lirisë dhe të ndryshimeve demokratike të kombit shqiptar”.

Me këto fjalë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është drejtuar të gjithë të pranishmëve në ditëlindjen e 24-t të kësaj force politike. Edhe pse sipas tij PD është më e bashkuar se kurrë, ai sërish shpërndau një mesazh bashkimi.

“Unë i bëj thirrje sërish dhe i shtri sërish dorën vllazërore të pajtimit, mirëseardhjes dhe respektit në shtëpinë e demokratëve të cilitdo që mungon akoma në bashkimin tonë, ose ndihet zemërthyer për arsye që do t’i shterojmë duke punuar së bashku për alternativën e re. Nuk ka vend për ndasi, të bashkuar do ta ngremë alternativën e re, alternativën fituese për të gjithë shqiptarët”, tha Basha.

Kreu i demokratëve, nuk la jashtë fjalimit të tij as situatën politike në vend.

“Dekriminalizimi i Kuvendit është kusht i domosdoshëm për ne për funksionimin e tij si institucioni i fjalës së lirë, debatit të shëndetshëm dhe dialogut politik në të mirë të vendit. Ne kemi sakrifikuar dhe po sakrifikojmë për këtë. Kemi ndërprerë marrëdhëniet me Kuvendin, me një masë ‘in extremis’ për një virtyt ‘in extremis’. Por jemi të vetëdijshëm se qytetarët e çmojnë dhe po ashtu kundërshtarët tanë politikë do ta çmojnë vlerën e betejës sonë, kur partitë të vendosin bashkarisht flakjen e mekanizmave që promovojnë elementë të inkriminuar në politikë”, theksoi Basha.

Dhe në fund të fjalës së tij, Basha kujtoi të gjithë ata drejtues të PD-së, të cilët nuk janë më gjallë.

Top Channel